Saturday, November 23, 2024
spot_img
BallinaKronika e zezëSë paku 14 të plagosur nga sulmet ruse në verilindje të Ukrainës

Së paku 14 të plagosur nga sulmet ruse në verilindje të Ukrainës

Forcat ruse e kanë sulmuar qytezën Konotop në rajonin Sumi në verilindje të Ukrainës mëngjesin e së enjtes, duke i plagosur 14 njerëz, sipas zyrtarëve vendës.

Infrastruktura civile dhe objektet energjetike ishin në shënjestër të sulmeve, sipas tyre.

Kryetari i Konotopit, Artem Semenikhin, shkroi në Telegram se së paku një person ra në koma pas sulmeve.

Kryetari njoftoi se pjesë të qytezës kanë mbetur pa rrymë si pasojë e prishjeve në rrjet pas sulmeve. Ai tha se po punohet për ta kthyer furnizimin me rrymë dhe ujë, pas dëmeve të mëdha në infrastrukturën energjetike.

Administrata ushtarake e rajonit tha se Rusia përdori dronë kamikazë të tipit Shahed gjatë këtyre sulmeve.

Rusia e ka goditur në mënyrë sistematike infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke i shkaktuar dëme të jashtëzakonshme, gjë që e ka kufizuar furnizimin e banorëve me rrymë dhe ka shkaktuar reduktime të vazhdueshme.

Ndërkohë, Ukraina është përgjigjur duke kryer sulme me dronë thellë brenda Rusisë, ku ka dëmtuar objekte të energjisë që janë vendimtare për ushtrinë ruse, kryesisht depo të naftës.

Këto sulme ndodhën pak orë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe homologu i tij britanik, David Lammy, u larguan nga Ukraina pas takimeve me zyrtarë ukrainas në Kiev gjatë një vizite të përbashkët, ku njoftuan ndihmë të re për Ukrainën.

Blinkeni njoftoi mbi 700 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën, ndërsa Lammy konfirmoi se vendi i tij do t’ia japë Ukrainës edhe 600 milionë funte ndihmë dhe hua të garantuara.

Ata, gjithashtu, u zotuan se do ta shqyrtojnë shpejt kërkesën e Ukrainës për ta lejuar të kryejë sulme thellë brenda Rusisë me armë me rreze të gjata me të cilat e furnizojnë Kievin.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kohë që u bën thirrje vendeve të Perëndimit t’i heqin kufizimet ndaj vendit të tij për përdorimin e armëve me rreze të gjata veprimi për sulme thellë brenda Rusisë.

Të martën, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se administrata e tij është duke punuar për ta gjetur një mënyrë për heqjen e këtyre kufizimeve.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit