Një rrahje brutale dyshohet se ka ndodhur së fundmi në lokalin ‘Balcony’ te Rruga B në Prishtinë, ku për motive akoma të panjohura, një mosmarrëveshje mes palëve ka eskaluar në përleshje. Njëri prej tyre u kap edhe me armë dhe përfundoi në ndalim, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, rasti ka ndodhur më 22 shtator, pak para mesnatës, kur Policia arrestoi personin e dyshuar, i përfshirë si viktimë në rastin e lëndimit të rëndë trupor.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që u prangos është Dorant Bucolli, emër i njohur për organet e rendit, për shkak të veprave në të cilat është përfshirë në të kaluarën.
27-vjeçari Bucolli është kapur me një armë zjarri, e cila është sekuestruar, ndërsa i njëjti është shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.