Një dyqan i veshjeve të shtrenjta dhe me marka të njohura të modës në Zveçan, që është pronë e nënkryetares së komunës së Zvecanit, Natasha Timoniq është djegur në ora 00:45 të së premtes.
Vetë Timoniq ka thënë se dëmi është i madh, derisa ka shtuar se dyshon në Listën Serbe dhe në të ashtuquajturën ‘Severna Brigada’, pasi siç tha ajo, kanë politika të kundërta.
“Dyshoj në ‘Severna Brigada’ dhe në Listën serbe se e kanë kryer këtë akt. Kjo për faktin se unë jam e punësuar në një institucion të Republikës të Kosovës, ku politikat tona janë në kundërshtim me atë të tyre”, tha ajo.
Timonicq ka bërë të ditur se zjarri në lokalin e saj ka ndodhur gjysmë ore pas mesnate me koktej molotovi, derisa i ka dërguar KosovaPress-it edhe videon pas zjarrit.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një grua ka raportuar se i është vënë zjarri dyqanit të saj të rrobave.
Rasti ka ndodhur sot në Zveçan në ora 00:45.
“Ankuesja femër kosovare ka informuar se persona të panjohur i kanë vënë zjarrin butikut të saj, zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Lidhur me rastin ankuesja dyshon se zjarri i është vënë qëllimshëm nga persona të dyshuar”, thuhet në raport.