Dy vetura u përfshinë nga flakët, mbrëmë në parkingun e një autosalloni në rrugën magjistrale Prishtinë – Ferizaj, saktësisht në Çagllavicë. Sinjali publikoi mbrëmë pamje nga vendi i ngjarjes, ndërsa rasti tashmë është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.
Siç merr vesh Sinjali, incidenti ka ndodhur në autosallonin “Fitimi Premium Cars” dhe akoma s’dihen motivi që i ka shtyrë të dyshuarit t’ua vënë flakën veturave.
Sipas Policisë, nga kamerat e sigurisë u zbulua se zjarrin e kanë shkaktuar persona të panjohur, të cilët kishin shkuar aty me një veturë që ende s’është identifikuar.
Viktima mashkull kosovar ka raportuar se në parkingun e auto sallonit të tij, i cili ndodhet në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj në Çagllavicë nga zjarri janë djegur dy vetura. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe zjarrfikësit të cilët e kanë shuar zjarri.
Pas shikimit të kamerave të sigurisë është vërejtur se zjarrin e kanë shkaktuar – kanë djegur veturat dy persona të panjohur të cilët kishin shkuar aty me një veturë të panjohur. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti është duke u hetuar.” – ka njoftuar Policia.