Një 30 vjeçar në Dibër është arrestuar pasi kërcënonte një shtetase dhe familjarët e saj për dhënien e 5000 euro kundrejt mospublikimit të fotove dhe videove personale të vajzës në rrjete sociale.Në pranga ka rënë shtetasi Indrit Vucaj, 30 vjeç, banues në Bulqizë.Ai ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale një 33 vjeçare dhe familjarët e saj, duke u kërkuar më pas vlerën e madhe të parave në mënyrë që të mos publikonte pamje të saj në internet.Vucaj akuzohet për veprat penale “Përndjekja” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, parashikuar nga nenet 121/a/2 dhe 109/b.Po kështu, ai është shpallur më parë 7 herë në kërkim për vepra penale të ndryshme si dhe ka qenë i dënuar nga drejtësia zviceriane në fushën e narkotikëve.Çështja i ka kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
NJOFTIM
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe DVP Dibër, operacioni policor i koduar “Phone fiend”.Arrestohet një 30-vjeçar i cili dyshohet se shantazhonte dhe përndiqte një shtetase dhe familjarët e saj, për dhënien e shumës 5000 euro, për mospublikimin e videove dhe fotove personale të saj, në rrjete sociale.Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe DVP Dibër, në vijim të punës për goditjen e krimeve kibernetike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Phone fiend”.Gjatë operacionit u ndalua shtetasi I. V., 30 vjeç, banues në Bulqizë, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, parashikuar nga nenet 121/a/2 dhe 109/b.Ky shtetas më përpara ka qenë 7 herë i shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale dhe i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve në shtetin zvicerian.Falë veprimeve hetimore profesionale nga specialistët e Sektorit të Hetimit të Krimeve Kibernetike, të kryera gjatë zhvillimit të këtij operacioni, është bërë dokumentimi i plotë ligjor i veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi, i cili dyshohet se ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale, një 33-vjeçare dhe familjarët e saj, për mospublikimin e disa fotove dhe videove personale të 33-vjeçares, në rrjete sociale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.