Një 36-vjeçar ka vdekur dje duke marrë infuzion në një qendër të mjekësisë familjare në Podujevë ku atje shkoi me simptoma të gripit sezonal.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar drejtoresha e Shëndetësisë në komunën e Podujevës, Adelina Stublla, e cila tha se atij iu përkeqësua gjendja derisa po merrte një infuzion dhe përkundër përpjekjeve të mjekëve, ai ka vdekur.
“Rasti ka ndodhur dje ku pacienti ka kërkuar ndihmë mjekësore në mjekësi familjare ku është kontrolluar nga mjeku specialist familjar dhe e cila ka caktuar marrje të terapisë infuzive ku gjatë marrjes së infuzionit ka ndodhë përkeqësim i gjendjes së pacientit ku i njëjti është reanimuar nga stafi shëndetësor (mes tyre edhe dy specialiste të mjekësisë familjare) në dhomën e reanimimit pastaj kanë vazhduar dy ekipe të urgjencës ku vetë shefi i urgjencës specialist për emergjencë e ka marrë rastin në dorë të cilët kanë kryer veprimet protokollare, por pa sukses rikthimi në jetë. Trupi është dërguar për autopsi për të sqaruar shkakun e vdekjes”, ka thënë ajo.
Për këtë rast ka njoftuar sot edhe Policia e Kosovës në raportin 24-orësh ku tha tha se trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
“Podujevë / 09.01.2025-12:30. Lidhur me rastin e lartcekur ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës mashkull kosovar dhe më pas me urdhër të prokurorit kompetent trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, tha policia.