Kryetari i ASH-së, Arben Taravari sot ks folur për prioritetet e Qeverisë së re në kuadër të së cilës është VLEN.
“Nga parafolësit, miqtë e mi Izeti, Bilalli dhe Bekimi, dëgjuam disa nga orientimet strategjike të Qeverisë së re e cila votohet në fundjavë.
Ajo që dua të theksoj, është se prioritetet e qeverisë VLEN do të përqendrohen në katër shtylla:
1. Përshpejtimi i integrimit evropian, për çka Koalicioni VLEN është garanci në Qeverinë në ardhje, në partneritet me BE-në dhe SHBA-të, partneritet ky që do të forcohet edhe më shumë;
2.Lufta e pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, për çka do të na flasë më tepër Arbeni;
3. Zhvillimi ekonomik i vendit dhe ngritja e standardit jetësor të qytetarëve, dhe
4. Zhvillimi i barabartë rajonal dhe fuqizimi i komunës si njësi bazë e demokracisë”, theksoi Taravari.
Sipas tij, kjo qeveri është garantuese e rrugës evropiane të vendit.
“Ndryshimet kushtetuese do të ndodhin, dhe negociatat për BE-në do të hapen. Po ashtu, edhe termi 20% do të largohet nga Kushtetuta. Qeveria jonë, po ashtu, do të garantojë bashkëpunim rajonal të barabartë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kuadër të Procesit të Berlinit. Vendi do të jetë prodhues e jo konsumues i sigurisë, si anëtare e plotë e NATO-s”, deklaroi Taravari.
Ai nënvizoi se sa i takon pozicionit tim në Qeverinë e cila pritet të mandatohet dhe të fillojë me punë nga dita e hënë e javës së ardhshme, si ministër i Shëndetësisë, do të përqendrohem në:
1. Zgjidhjen e problemit me kompresorët në sallat e operacionit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup;
2. Shkarkimin e drejtorëve ekonomikë në çdo institucion publik shëndetësor, nëse e lejon ligji që në ditën e parë;
3.Digjitalizimi i Shëndetësisë, përfshirë edhe Farmacinë, Stomatologjinë, të gjithë sistemin shëndetësor publik dhe privat;
4. Rifillimin e punimeve për përfundimin e Spitalit në Kërçovë dhe Spitalin Klinik në Shtip, dhe
5. Bashkimin e Qendrave Klinike.
“Sa i takon sistemit të lartë arsimor, do të bëjmë depolitizimin e UT-së, si dhe ndarje të një buxheti më të lartë për këtë universitet, përfshirë për herë të parë edhe për kërkime shkencore. Janë edhe një sërë investimesh dhe projektesh të cilat do të shpalosen në periudhën e ardhshme, përmes së cilave do të dëshmojmë se qytetari dhe shteti janë në qendër të veprimit tonë”, deklaroi Taravari.