Irani ka lëshuar një numër dronësh në drejtim të Izraelit, ka thënë ushtria izraelite.
Një sulm i tilllë është konfirmuar edhe nga Irani.
Pas kësaj ka pasur edhe shumë reagime.
Për të mësuar më shumë rreth zhvillimeve të fundit, Telegrafi ju ka mbajtur të informuar, minutë pas minute.
Çfarë thanë liderët botërorë pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit?
Udhëheqësit globalë kanë dënuar me shpejtësi veprimet e Teheranit, duke kërkuar përmbajtje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.
Në përgjigje të sulmeve të fundit me dronë nga Irani ndaj Izraelit, liderët nga e gjithë bota kanë lëshuar një valë të fortë dënimi.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se Bashkimi Evropian dënon fuqishëm sulmet e Iranit ndaj Izraelit.
Ndërsa presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i cili u kthye herët nga një udhëtim i fundjavës për të monitoruar ngjarjet në Lindjen e Mesme nga Shtëpia e Bardhë, përsëriti mbështetjen e tij për Izraelin.
“Jam thellësisht i alarmuar për rrezikun shumë real të një përshkallëzimi shkatërrues në mbarë rajonin. U bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale për të shmangur çdo veprim që mund të çojë në konfrontime të mëdha ushtarake në fronte të shumta në Lindjen e Mesme”, thuhet në deklaratën e tij.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak theksoi: “Unë dënoj në termat më të ashpër sulmin e pamatur të regjimit iranian kundër Izraelit. Irani ka treguar edhe një herë se synon të mbjellë kaos…”.
“Ne dënojmë fuqishëm sulmin e vazhdueshëm, i cili mund të zhysë një rajon të tërë në kaos. Irani dhe përfaqësuesit e tij duhet ta ndalojnë këtë menjëherë. Izraeli ka solidaritetin tonë të plotë në këtë kohë”, ka thënë ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.
“Ne qëndrojmë me Izraelin. Pas mbështetjes së sulmit brutal të Hamasit të 7 tetorit, veprimet e fundit të regjimit iranian do të destabilizojnë më tej rajonin dhe do ta bëjnë paqen e qëndrueshme më të vështirë”, tha Trudeau në një deklaratë.
“Ne mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij nga këto sulme”. /Telegrafi/
Ushtria e Iranit thotë se operacioni ka “përfunduar”, paralajmëron SHBA-në dhe Izraelin kundër sulmeve të ardhshme
Sardar Bagheri, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit tha se Irani i dërgoi një mesazh Shteteve të Bashkuara përmes ambasadës zvicerane duke paralajmëruar Uashingtonin se nëse bashkëpunon me Izraelin në veprimet e tyre të ardhshme të mundshme, bazat amerikane “nuk do të kenë asnjë siguri” dhe do të “përballen” me reagime.
Bagheri tha se nga këndvështrimi i Iranit, operacioni ushtarak kundër Izraelit “ka përfunduar”, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, ai theksoi se forcat e armatosura iraniane mbeten në gatishmëri të lartë dhe janë të përgatitura të “veprojnë nëse është e nevojshme”, sipas një interviste në TV shtetëror IRINN të dielën.
“Nëse regjimi sionist përgjigjet, operacioni ynë i ardhshëm do të jetë shumë më i madh”, tha Bagheri.
Regjimi sionist është një referencë iraniane për Izraelin.
Autoritetet iraniane i kanë bërë të qarta sulmet e kësaj fundjave, si hakmarrje për një sulm të 1 prillit nga Izraeli, i cili shkatërroi një ndërtesë të konsullatës iraniane në kryeqytetin Damask.
Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin për të cilin Irani tha se vrau shumë zyrtarë, përfshirë Mohammed Reza Zahedi, një komandant i lartë i Gardës Revolucionare.
Megjithatë, një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit i tha CNN se inteligjenca e tyre tregoi se ndërtesa nuk ishte një konsullatë dhe në vend të kësaj ishte “një ndërtesë ushtarake e forcave të Kudsit e maskuar si një ndërtesë civile”.
Para 44 min
Sulmi me dronë nga Irani drejt Izraelit, Kurti: Paraqet rrezik për destabilizimin e gjithë rajonit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar sulmin me dronë të Iranit ndaj Izraelit.
Në një postim në “X”, Kurti ka shkruar se ky është në akt i paprecedentë, dhe se i njëjti paraqet rrezik të madh për destabilizimin e rajonit.
“Dënoj sulmin e fundit të Iranit ndaj Izraelit. Ky akt i paprecedentë përbën një rrezik të madh për destabilizimin e të gjithë rajonit”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka shtuar se tani më shumë se kurrë duhet dhënë fund armiqësive në botë.
“Tani, më shumë se kurrë, bota duhet t’i japë përparësi përfundimit të armiqësive dhe nxitjes së paqes së qëndrueshme”, ka theksuar Kurti.
Para 52 min
G7 do të mbajë një takim për sulmet këtë pasdite
Udhëheqësit e grupit të shtatë ekonomive të mëdha pritet të diskutojnë sulmin e Iranit.
G7 përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia, ku marrin pjesë edhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian.
Italia mban aktualisht presidencën e radhës.
Grupi fillimisht u krijua në 1973 për të diskutuar zgjidhjet e mundshme për problemet globale ekonomike dhe financiare, të tilla si krizat e naftës, përpara se të zgjerohej për të përfshirë çështjet politike në vitet 1980.
Para 1 ore e 8 min
Pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit, Hoxhaj tregon se çfarë duhet të bëjë Kosova
Nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj, ka reaguar për sulmin e Iranit ndaj Izraelit, duke thënë se këto janë ngjarje që tregojnë se Kosova ka nevojë për një politikë të jashtme të mençur.
“Sulmi i Iranit mbi Izraelin mbrëmë, vazhdimi i luftës në Ukrainë dhe Gaza, agresionit i Serbisë në Banjskë vjet dhe deklarimi i hapur i Hungarisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, gjë që çdoherë ka votuar për anëtarësimin tonë në organizata, janë ngjarje që tregojnë që për Kosovën një politikë e jashtme e mençur, së bashku me rritjen e kapaciteteve të sigurisë duhet ta ketë primatin mbi çdo politikë të brendshme ekonomike dhe shoqërore”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka thënë se kushdo që mendon të kundërtën e ka gabim.
“Kushdo që mendon të kundërtën e ka shumë gabim, kur sot Kosova është e izoluar nga aleatët perëndimorë dhe e kërcënuar nga kundërshtarët lindorë!”, ka shkruar Hoxhaj.
Para 1 ore e 19 min
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit, duke thënë se ai u kërkon të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale.
“Unë u bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale për të shmangur çdo veprim që mund të çojë në konfrontime të mëdha ushtarake në fronte të shumta në Lindjen e Mesme”, ka shkruar ai në një deklaratë.
“Unë kam theksuar vazhdimisht se as rajoni dhe as bota nuk mund të përballojnë një luftë tjetër”.
Pamje që thuhet se tregojnë shpërthime teksa mbrojtja ajrore izraelite po “përgjonte” dronët e Iranit