Për sot në ora 11:00 është caktuar seanca konstituive e Kuvendit, të cilën pritet që ta udhëëheqë deputetja më e moshuar e përbërjes së re parlamentare, Merita Kollçi Koxhaxhiku.
Sipas rendit të ditës, seanca plenare ka katër pika.
Pasi të konstatohet kuorumi, zgjedhet përbërja e Komisionit Verifikues të Kuvendit, me propozimin e të cilit Kuvendi i verifikon mandatet e deputetëve. Në bazë të raportit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor për zgjedhjet e 8 majit, Komisioni Verifikues, dorëzon raport për çdo deputet dhe më pas i njëjti votohet.
Pas kësaj, deputetët do të zgjedhin përbërjen e Komisionit për Çështje Zgjedhjeve dhe Emërimeve, ndërkaq në fund, deputetët do të zgjedhin kryetarin e Kuvendit.
Sipas Rregullores së Kuvendit, seanca konstituive mund të zgjasë më së shumti tre ditë, ndërkaq Kuvendi llogaritet i konstituuar me zgjedhjet e kryetarit të Kuvendit.
10 ditë pas konstituimit të Kuvendit, presidentja e shtetit është e obliguar që ta japë mandatin për formimin e Qeverisë. Mandatari, në afat prej 20 ditësh duhet të dorëzojë në Kuvend program qeveritar dhe propozim të përbërjes qeveritare, që më pas të bëhet votimi në Kuvend me minimum 61 vota.