Monday, September 30, 2024
spot_img
BallinaLajmeSituata e tensionuar në Kosovë, a paraqet rrezik për ballkanin ?

Situata e tensionuar në Kosovë, a paraqet rrezik për ballkanin ?

Situata në Kosovë pothuajse dy apo tri herë brenda vitit ndryshon, përkeqësohet e përmirësohet. Por, që në gjendje konstante të pa ndryshueshme vështirë e ka të arrij derisa nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare. Serbia agresori historik dhe aktual po i bën presion të pashmangshëm Kosovës vetëm që të ndërhyj në sovranitetin e shtetit. Tani më situata ka dalë prej kontrolli, po zhvillohen protesta të dhunshme dhe aspak paqësore në katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok, dhe Leposaviq. Pas braktisjes së institucioneve të serbeve që kanë qeverisur në këto komuna, janë mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme dhe janë zgjedhur kryetarë të ri. Por, për Vuçiqin nga Beogradi është e papranueshme që me këto komuna të udhëheqin shqiptarë, prandaj ka mobilizuar banda kriminele dhe ka dërguar në veri të Kosovës para këtyre komunave për të demonstruar dhunë edhe ndaj KFOR-it. Kjo që po ndodhë në Kosovë është cenim i stabilitetit dhe paqes në rajon jo vetëm brenda Kosovës, pasi kemi të bëjmë me një ri-tensionim mes dyja shteteve që para dy dekadave kanë qenë në luftë. Prandaj, çdo eskalim i situatës atje paraqet rrezik edhe në Maqedoninë e Veriut. Heshtja e liderëve politik në RMV përkundrejt situatës që po ndodhë atje nuk nënkupton që ne jemi të sigurt, por mbase kjo heshtje është si pasojë që politikanët nuk po dinë në anën e kujt të rreshtohen. Deri më tani vetëm Bilall Kasami, kreu Besës dhe Tetovës ka reaguar dhe është pozicionuar në anën e të drejtës, Kosovës, shkruan Zhurnal.

Çfarë po ndodhë në Kosovë?

Tensionet u rindezën në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit,  të gjithë shqiptarë, u kundërshtuan nga serbët lokalë. Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.

Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe. Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës. Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj. Kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut e bënë betimin më 25 maj, duke marrë kështu pushtetin lokal në këto tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ceremonitë e betimit u mbajtën në objekte publike, sepse në objektet e komunave ka organe të përkohshme komunale, të cilat punojnë në sistemin e Serbisë. Vetëm në Mitrovicë të Veriut ekziston një ndërtesë komunale që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Kryetari i ri, Erden Atiq, u betua atje më 19 maj. Misioni i KFOR-it e ka konfirmuar se tre ushtarë hungarezë janë plagosur me armë zjarri gjatë ditës së djeshme. Në njoftim thuhet se lëndimet nuk janë rrezik për jetën.

“Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës së paprovokuar të djeshme në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën”- thuhet mes tjerash në komunikatën e KFOR-it. Për këto sulme, Policia ka konfirmuar se janë arrestuar pesë persona. Megjithatë, nuk dihet nëse të njëjtit janë ata që kanë gjuajtur me armë.

Përpos, misionit të KFOR-it që janë sulmuar në mënyrë barbare nga bandat kriminele serbe, në mënyrë të organizuar cak i sulmeve kanë qenë edhe mediat dhe gazetarët që kanë raportuar nga vendi ngjarjes. Një veturë e TËVË1 është djegur tërësisht, ndërkaq edhe vetura të të mediave tjera janë dëmtuar.

A paraqet rrezik për Maqedoninë e Veriut situata e tensionuar në Kosovë?

Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shtete në tranzicion, shtete të vogla dhe të pafuqishme, që mezi ia dalin të mbijetojnë në paqe e lëre më në luftë. Por, kur përbrenda këtyre shteteve ekziston një fqinjë që historikisht është ushqyer me gjak të qytetarëve nga shtetet fqinjë është e vështirë të ruhet paqja. Serbia është shtet që aktualisht po luan me standarde të dyfishta, në njërën anë mike e përbetuar e Rusisë në anën tjetër kërkon përkrahje të Evropës dhe SHBA-ve.

Veprimtaria kriminele e Serbisë çdoherë paraqet rrezik për një rajon të tërë dhe jo vetëm për Kosovën. Çdo situatë që del jashtë kontrollit atje mund të shoqërohet edhe me trazira të tjera jashtë kufijve, me një revoltë mbarë popullore shqiptare edhe nga Maqedonia e Veriut. Nga ana tjetër Serbia vazhdon ta kundërshtojë fuqishëm pavarësinë e Kosovës edhe 15 vjet pas shpalljes së saj. Rusia, një nga mbështetëset më të mëdha të Serbisë në arenën ndërkombëtare, e pengon anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Lufta në Ukrainë mund të zgjerohet në Ballkanin Perëndimor vetëm përmes Serbisë me ndihmën e Rusisë.

Përderisa tensionet janë të njëpasnjëshme në Kosovë, vetëm një kryeministër si Albin Kurti di dhe mundet të menaxhojë ashtu si duhet. Fat për shtetin e Kosovës që në krye të qeverisë ka një lider me guxim dhe dije sikurse Albin Kurti, dhe kjo i pamundëson Listës Serbe të dirigjuar nga Beogradi që të rrëzojë Qeverinë apo të prish rendin e funksionimit të institucioneve të shtetit. Ka ikur koha kur lista serbe vonohej qëllimisht e koordinohej me Beogradin se kur dhe pse duhet ta ngrinin dorën në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, qeveria Kurti nuk është e varur nga lista serbe dhe kjo me automatizëm vërteton se është Qeveri e cila buron prej vullnetit të lirë të popullit, dhe një qeverisje e tillë nuk ka se si mos të mendojë e të punojë për interesin e gjithë qytetarëve. Prej momentit që në krye të qeverisë së Kosovës është zgjedhur me vullnetin më të madh mbarë popullor(mbi 50%), Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka inskenuar skenarë të ndryshëm përmes të cilave ka dëshmuar se më shumë është marrë me Kosovën se me Serbinë, por që të gjitha tentimet për destabilizim i kanë dështuar. 

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit