Monday, September 30, 2024
spot_img
BallinaLajme“Serbia e përfshirë kokë e këmbë” – Çka ndodhi tre ditë pas...

“Serbia e përfshirë kokë e këmbë” – Çka ndodhi tre ditë pas sulmit terrorist në Veri të Kosovës

Njëri nga terroristët e vrarë nga policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit në Banjskë ka qenë truproja e shefit të BIA-s serbe Aleksandar Vulin. Kështu njoftoi sot ministri i brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla, shkruan Alsat.

“Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiqit në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe truproja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook.

Një ditë më parë Sveçla tha se nënkryetari i Listës Serbe Millan Radoiçiq i ka organizuar sulmet dhe ka qenë pjesë e tyre. Ai madje publikoi pamje me dronë, dhe aty pretendohet se shihet Radoiçiq i armatosur.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se më 24 shtator është rrezikuar siguria kombëtare e Kosovës dhe është shpërfaqur gatishmëria “e grupeve kriminale dhe terroriste, të cilat i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë”.

“Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak, dhe sasi të mjaftueshme, për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale, ata janë në kërkim të Institucioneve tona të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. Ata shfaqen në krah e përkrah e në një tryezë në Beograd e në Rashkë me presidentin e Serbisë Vuçiq duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejtë të shtetit serb në këtë mes”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kurti tha se sulmi në Banjskë i ka ekspozuar vështirësitë dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufijve të Kosovës me Serbinë. Ndërkohë drejtori i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicë Veton Elshani tha se hetimet në Banjskë nuk do të përfundojnë për një kohë të gjatë. Ai nuk mohoi mundësinë se grupe kriminale do të tentojnë të hyjnë sërish në Kosovë, porse tha se Policia e Kosovës është e përgatitur dhe ka komunikim të mirë me KFOR-in.

“Policia është institucion i zbatimit të ligjit dhe kriminelët në tjetrën anë planifikojnë sesi të gjejnë ndonjë hapësirë për të kryer pjesën e vet, bëjnë planifikime të ndryshme dhe nuk mund ta përjashtojmë një mundësi tjetër (që grupe të armatosura të hyjnë në Kosovë). Ne jemi goxha të përgatitur dhe kemi komunikim të mirë me KFOR-in dhe ndoshta ka mundësi që ky rast këtu, me të gjitha të këqijat e veta, me një polic të vrarë dhe tre të armatosur të vrarë, mendoj se ne kemi marr edhe mësim këtu”, u shpreh Veton Elshani, Drejtor i Policisë së Kosovës në Mitrovicë.

Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të shmangin çdo retorike që mund të nxisin më tej konfliktin. Zëdhënësi i DASH Matt Miller, dënoi edhe njëherë sulmin e organizuar ndaj policëve të Kosovës.
“I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet dhe të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të de-përshkallëzuar situatën dhe kthimin në dialogun e lehtësuar nga BE”, theksoi Matt Miller, Zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë diskutuar të martën mbrëma për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe disa prej tyre kanë kërkuar që të vendosen masa ndaj Serbisë, nëse dëshmohet lidhja e saj me sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Sipas burimeve diplomatike të BE-së, masa duhet vënë këtij vendi edhe nëse dëshmohet roli i Serbisë në dërgimin e armatimit në territor të Kosovës, i gjetur së fundi nga Policia e Kosovës në veri. Vendet anëtare të BE-së e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës, kanë kërkuar që të zbardhet rasti dhe disa prej tyre kanë kërkuar edhe qasje të balancuar të BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Më 24 shator në Banjskë të Zveçanit, Policia e Kosovës është përleshur me një grup të armatosur terrorist dhe për pasojë janë vrarë një zyrtar policor dhe tre terroristë./ Alsat.mk

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit