Kohëve të fundit në vendin tonë ka pasur rritje të numrit të vrasjeve, një fenomen ky që është bërë alarmant për shoqërinë. Nga fillimi i këtij viti, Kosova është tronditur me dhjetëra vrasje, ku rasti i fundit është i Liridona Ademaj-Murseli, e cila u vra më 29 nëntor në periferi të Prishtinës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Telegrafin se për periudhën janar-tetor të këtij viti kanë ndodhur 26 vrasje.
Krahasuar me numrin e vrasjeve që kanë ndodhur brenda vitit të kaluar, shihet se në 10 muajt e këtij viti ka pasur rritje të numrit të vrasjeve.
Gjatë vitit 2022 sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, janë shënuar gjithsejtë 21 vrasje.
Policia gjithashtu ka bërë të ditur se gjatë vitit 2022 kanë ndodhur shtatë raste “vrasje e rëndë” (vrasje brenda familjes). Në këto shtatë raste janë evidentuar 8 viktima (një rast me dy viktima), 4 meshkuj dhe 4 femra.
Kurse, gjatë periudhës janar-tetor 2023 Policia ka bërë të ditur se kanë ndodhur 4 raste “vrasje e rëndë’ (vrasje brenda familjes), në këto katër raste janë evidentuar 5 viktima (një rast me dy viktima), 2 meshkuj dhe 3 femra.
Vrasjet që tronditën opinionin këtë vit
Mbrëmjen e 29 nëntorit, Kosova është tronditur nga vrasja e Liridona Ademaj-Museli. Ajo u vra në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës, e kishte raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave, dorasin Granit Plava dhe Naim Murseli bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.
Pak orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve për këtë rast, si i dyshuar është edhe Kushtrim Kokallaj, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Më 3 dhjetor Gjykata Themelore e Prishtinës u caktoi masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tre të dyshuarave Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokallaj.
Gjykata njoftoi se i pandehuri Naim Murseli i kishte premtuar të pandehurit Granit Plava shumën e të hollave prej 30 mijë eurove, për të kryer veprën penale.
Së fundmi është arrestuar edhe personi i katërt i dyshuar për këtë rast, Tomë Doda. Doda po dyshohet se më datë 29.11.2023 rreth orës 14:00 në vendin e tij të punës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë apo materie plasëse, ia ka shitur armën të dyshuarve Naim Murseli dhe Granit Plava, për të cilën dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale “Vrasje e Rëndë” e të dëmtuarës, tani të ndjerës Liridona Ademaj-Murseli. Gjykata ndaj të njëjtit ka ma marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit.
Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.
Një vrasje tjetër që kishte tronditur opinionin ishte ajo e 20 shtatorit në Banjë të Malishevës. Policia kishte bërë të ditur se një person ishte gjetur pa shenja jete dhe se dyshohej se i njëjti ishte qëlluar me armë zjarri. Për këtë rast ishte vetëdorëzuar në polici një person.
Tjetër vrasje ishte raportuar më 11 shtator 2023 në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë. E gjithë ngjarja kishte ndodhur në sytë e një fëmije 4 vjeçar.
Më datën 3 shator të vitit 2023, një person ishte vrarë në Prizren para syve të familjes së tij.
Më 31 gusht kishte ndodhur një tjetër vrasje në fshatin Balincë të Malishevës, ku për vdekje ishte qëlluar një 29 vjeçar. Ngjarja kishte ndodhur në tregun e druve. Për këtë rast janë arrestuar tetë persona ndaj të cilëve ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.