Friday, November 22, 2024
spot_img
BallinaLajmePse Gjykata e Lartë e Kolorados e ka larguar Trumpin nga fletëvotimi...

Pse Gjykata e Lartë e Kolorados e ka larguar Trumpin nga fletëvotimi i vitit 2024?

Gjykata e Lartë e Kolorados ka vendosur që Donald Trump nuk ka të drejtë të kandidojë përsëri për Shtëpinë e Bardhë, duke e përmendur rolin e tij në sulmin e 6 janarit, në një vendim që mund të ketë pasoja të mëdha për zgjedhjet e 2024.

Vendimi e heq Trumpin nga votimi presidencial republikan i shtetit dhe rrjedh nga një dispozitë e rrallë e përdorur e Kushtetutës së SHBA e njohur si klauzola e kryengritjes.

Çfarë është klauzola e kryengritjes dhe pse është përdorur?

Vendimi i Gjykatës së Lartë të Kolorados është hera e parë që një kandidat konsiderohet i papërshtatshëm për në Shtëpinë e Bardhë sipas dispozitës kushtetuese të SHBA.

Seksioni 3 i amendamentit të 14-të, i quajtur gjithashtu klauzola e kryengritjes, ndalon këdo nga Kongresi, ushtria dhe zyrat federale dhe shtetërore që dikur e kanë bërë betimin për ta mbështetur kushtetutën, por më pas “u përfshi” në “kryengritje ose rebelim” kundër saj.

I ratifikuar në vitin 1868, Amendamenti i 14-të ka ndihmuar në sigurimin e të drejtave civile për njerëzit e dikurshëm të skllavëruar. Ky Amendament synonte gjithashtu t’i parandalonte ish-zyrtarët e Konfederatës që ta rifitonin pushtetin si anëtarë të Kongresit dhe ta merrnin përsipër qeverinë kundër të cilës sapo ishin rebeluar.

Një numër në rritje i studiuesve juridikë thonë se klauzola e pasluftës civile zbatohet për Trump për shkak të rolit të tij në përpjekjen për t’i përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe për ta penguar transferimin e pushtetit te Joe Biden duke i inkurajuar mbështetësit e tij që ta sulmojnë Kapitolin e SHBA.

Si ndodhi një gjë e tillë?

Vendimi i së martës shënon një fitore për grupet e avokimit dhe votuesit anti-Trump, të cilët kanë ngritur sfida të ngjashme ligjore ndaj kandidaturës së Trump, duke përmendur klauzolën e kryengritjes.

Kjo çështje u ngrit nga një grup votuesish të Kolorados, të ndihmuar nga grupi Qytetarët për Përgjegjësi dhe Etikë në Uashington, të cilët argumentuan se Trump duhet të s’kualifikohet nga votimi për rolin e tij në sulmin e 6 janarit.

Vendimi nga gjykata më e lartë e Kolorados e ka përmbysur një vendim të mëparshëm nga një gjykatës i gjykatës së qarkut i cili ka gjetur se veprimet e Trumpit më 6 janar përbënin nxitje të një kryengritjeje, por i cili ka shtuar se Trump nuk mund të ndalohet nga votimi, sepse ishte e paqartë se klauzola kishte për qëllim të mbulonte rolin e presidencës.

A ka ndodhur diçka e këtillë më parë?

Dispozita është përdorur rrallë dhe jo në një raste të një profili kaq të lartë. Në vitin 1919, Kongresi refuzoi ta vendoste një socialist në Kongres, duke pretenduar se ai u dha ndihmë dhe ngushëllim armiqve të vendit gjatë Luftës së Parë Botërore.

Vitin e kaluar, në përdorimin e parë të dispozitës që atëherë, një gjykatës i Nju Meksikës e ndaloi një komisioner të qarkut rural që kishte hyrë në Kapitol më 6 janar nga detyra sipas klauzolës.

Sipas dispozitës, një përjashtim nga detyra mund të anulohet “me një votë të dy të tretave të secilës Dhomë”.

Çfarë do të thotë kjo për zgjedhjet?

Deri më tani, vendimi i Kolorados zbatohet vetëm për zgjedhjet paraprake republikane të shtetit, të cilat do të zhvillohen më 5 mars, që do të thotë se Trump nuk do të shfaqet në fletëvotimin për atë votim.

Mirëpo përfundimi i tij ka të ngjarë të ndikojë gjithashtu në statusin e Trump në shtet për zgjedhjet e përgjithshme më 5 nëntor.

Për më tepër, vendimi mund të ndikojë në çështje të tjera në të gjithë SHBA-në, ku gjykatat supreme në Minesota dhe Michigan, një shtet kyç i fushëbetejës, po shqyrtojnë argumente të ngjashme.

Avokatët kanë shpresuar ta përdorin këtë çështje për ta nxitur një përpjekje më të gjerë s’kualifikimi dhe potencialisht për ta vendosur çështjen përpara gjykatës supreme të SHBA.

A ka reaguar Trump lidhur me këtë vendim nga Gjykata e Kolorados?

Trump nuk e ka përmendur vendimin e lartcekur gjatë një mitingu të martën në mbrëmje në Waterloo, Iowa, mirëpo fushata e tij dërgoi një email për mbledhjen e fondeve duke cituar atë që e quajti një “vendim tiranik”.

Avokatët e tij, ndërkohë, kanë argumentuar se gjuha e Amendamentit të 14-të nuk vlen për presidencën dhe premtuan të apelojnë çdo s’kualifikim menjëherë në Gjykatën e Lartë të SHBA, e cila e ka fjalën e fundit në çështjet kushtetuese.

Një avokat i Trump ka argumentuar se trazirat e 6 janarit në Kapitol nuk ishin mjaft serioze për t’u kualifikuar si kryengritje dhe se çdo vërejtje që Trump u bëri mbështetësve të tij atë ditë në Uashington mbrohej nën lirinë e fjalës. Avokati pretendon se gjykatat nuk kanë autoritetin për ta urdhëruar largimin e Trump nga fletëvotimi.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit