Trupi Koordinues për Analizën dhe Forcimin e Legjislacionit në Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbajtur sot një mbledhje për të shqyrtuar mundësinë e forcimit të masave kufizuese në lidhje me listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Siç kumtoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, Propozimi për ndryshime në Ligjin për Masa Kufizuese është iniciuar nga zëvendëskryeministrja përgjegjëse për Politika të Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska, për të mundësuar sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i referohen korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe kërcënimeve hibride, të mund të aplikohen në vend dhe subjektet e mbuluara t’i nënshtrohen sanksioneve sipas legjislacionit të brendshëm.
“Të pranishmit ranë dakord për nevojën e përgatitjes së një zgjidhjeje efektive që do të zgjerojë fushën e listës së sanksioneve dhe do të plotësojë ligjin me një procedurë në bazë të së cilës sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përpunohen në legjislacionin tonë”, thuhet në kumtesë.
Nga Qeveria theksojnë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si aleate e dëshmuar e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e një rëndësie të madhe, si dhe përpjekjet e qeverisë amerikane për promovimin e paqes, stabilitetit dhe qeverisjes funksionale demokratike në rajon.
“Trupi koordinues konkludoi që pas konsolidimit të komenteve dhe propozimeve nga anëtarët që u diskutuan në seancën e sotme, propozimi për ndryshime në Ligjin për Masat Kufizuese të dorëzohet në Qeveri dhe të shqyrtohet dhe miratohet në njërën nga seancat e ardhshme”, thuhet në kumtesë.
Në takimin e sotëm të kryesuar nga zëvendëskryeministrja Gërkovska morën pjesë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, ministrat e Punëve të Jashtme, Mbrojtjes dhe Financave, drejtorët e Agjencisë për Siguri Kombëtare, Agjencisë për Inteligjencë, Drejtorisë për të Ardhura Publike, Drejtorisë për Inteligjencë Financiare, Drejtorisë Doganore dhe Policisë Financiare, si dhe përfaqësues të ministrive për Punë të Brendshme dhe të Drejtësisë.