Saturday, November 23, 2024
spot_img
BallinaShëndetiPesticidi i dëmshëm përdoret për prodhimet bujqësore në Maqedoni

Pesticidi i dëmshëm përdoret për prodhimet bujqësore në Maqedoni

Nga kufiri kroat vetëm brenda këtij viti janë kthyer tri dërgesa, ndërsa vitin e kaluar një, me produkte ushqimore bujqësore të Maqedonisë së Veriut kjo pasi në bazë të dhënave të Sistemit të alarmit të shpejtë për ushqimet dhe ushqimet për kafshë, në to është gjetur sasi e lartë e pesticideve të dëmshme për shëndetin.

Së fundmi, më 19 shkurt të këtij viti, ky Sistem alarmi për ushqimet ka bërë të ditur se është regjistruar sasi e lartë e pesticideve në prodhimet bujqësore të Maqedonisë së Veriut të dedikuara për tregun kroat.

Bëhet fjalë për sallatë të përzier, në të cilën është gjetur pesticidi chlorpyrifos që rrezikon shëndetin e njeriut.

Sasia e chlorpyrifos që është zbuluar në dërgesën e kontestuar nga ana e autoriteteve kroate ka qenë 0.55 mikrogramë në një kilogram, ndërsa, sipas standardeve evropiane, sasia e këtij pesticidi duhet të jetë zero.

Prania e këtij pesticidi ka bërë që autoritetet kroate t’i ndalojnë këto produkte bujqësore, sallatën e përzier, që në kufi.

“Sistemi i alarmit të shpejtë për ushqimet dhe ushqimet për kafshë, kishte informacion se në një ngarkesë të nisur nga vendi ynë, u zbuluan mbetje të chlorpyrifos, një pesticid që është i ndaluar si këtu, ashtu edhe në BE. Prandaj, dërgesa është ndaluar në kufi”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nikolçe Babovski, drejtor i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Babovski nënvizon se nuk mund të thotë se si është gjendur ky pesticid në sallatat e përziera të dedikuara për tregun kroat.

“Inspektorati i Bujqësisë është përgjegjës për kontrollet e tyre dhe duhet të tregojnë nëse i kanë realizuar me rregull inspektimet. Ne nuk i bëjmë ato kontrolle”, shton Babovski.

Ndërkohë, nga Inspektoratit Shtetëror i Bujqësisë thonë se përderisa legjislacioni maqedonas nuk është në përputhje me atë të vendeve të Bashkimit Evropian për sa i përket prodhimit të produkteve bujqësore të dedikuara për tregun e jashtëm, është evidente se do të shfaqet prania e pesticideve të caktuara.

Pesticidi i diskutueshëm chlorpyrifos është ndaluar në Bashkimin Evropian që nga prilli i vitit 2020, por në Maqedoninë e Veriut, sipas Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë periudha kalimtare për shfrytëzimin e stoqeve të tij ende vazhdon, edhe pse sipas ligjeve evropiane, ajo periudhë ka përfunduar.

“Pas marrjes së informacionit për ndalimin e përdorimit të chlorpyrifos në BE, në përputhje me legjislacionin kombëtar, lëshohet një periudhë kalimtare për konsumin e stoqeve të këtyre pesticideve në një kohëzgjatje prej 18 muajsh (12 muaj për shitje dhe 6 të tjerë për përdorim) për ato sasi që janë në vendin tonë. Procedura për asgjësimin e tyre përbën një problem të madh, si për vendin tonë, ashtu edhe për vendet e tjera”, kanë theksuar nga Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë.

Por, nga drejtoria e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë i sigurojnë qytetarët e vendit se produktet që shiten në tregun maqedonas u nënshtrohen kontrolleve të rregullta dhe janë të sigurta.

“Gjatë vitit të kaluar kemi realizuar 57 mijë inspektime dhe në rastet e caktuara produktet e caktuara menjëherë janë larguar nga raftet e dyqaneve”, bën të ditur Nikolçe Babovski, drejtor i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Kjo agjenci bën të ditur se janë shqiptuar gjithsej 369 masa inspektuese. Kurse, gjatë vitit të kaluar janë asgjësuar gjithsej 147 mijë e 415 kilogramë ushqime, të cilat janë vlerësuar si të pasigurta.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit