Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka zhvilluar një darkë pune me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Pas takimit në prononcimet për media, Kurti e Krasniqi folën si asnjëherë me parë për gatishmërinë për të organizuar zgjedhje brenda një periudhe të afërt.
Nga ana tjetër, burime të IndeksOnline-t bëjnë më dije se në këtë takim, PDK-ja ka propozuar që deputetët të votojnë mocionin për shpërndarjen e kuvendit, javën e ardhshme, ndërsa si data të mundshme ka propozuar 30 qershorin ose 7 korrikun kur do të duhej të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Kryeministri Kurti në deklaratën e tij ka kërkuar konsensus ndërpartiak për këtë çështje, por që aktualisht është vështirë të arrihet, pasi dy partitë e tjera opozitare LDK-ja dhe AAK-ja po kushtëzojnë votimin për shpërndarjen e kuvendit me dorëheqjen e kryeministrit ose shkarkimin e tij.
Kreu i ekzekutivit ka paralajmëruar një ftesë tjetër për Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn, pasi ftesa për takimin e mbrëmshëm është refuzuar nga kreu i LDK-së dhe ai i AAK-së./IndeksOnline/