Netët pa gjumë, oreksi i shtuar dhe sistemi imunitar i dobësuar, janë simptoma të zakonshme të stresit. Megjithatë, stresi mund të shkaktojë edhe efekte anësore më pak të njohura që mund të ndikojnë vërtet në shëndetin tuaj.
Psikologia Rosalind S. Dorlen liston disa efekte anësore befasuese që mund të shkaktojë stresi, raporton LiveStrong.
Harresa
Nëse shpesh harroni ose e keni të vështirë të përqendroheni, ekziston mundësia që të jeni të stresuar. Sipas hulumtimit të Harvard Health Publishing, stresi dhe ankthi mund të ndërhyjnë në vëmendjen dhe kujtesën tuaj. Në fakt, një studim i nëntorit 2018 në Neurology demonstroi se të rriturit me nivele më të larta të kortizolit (“hormoni i stresit”) shfaqën kujtesë të dëmtuar dhe vëllim më të ulët të trurit.
Problemet e lëkurës
Problemet në lëkurë, si urtikarie, skuqje eruptive të lëkurës, akne dhe herpesi, janë vetëm disa nga problemet që ndodhin te njerëzit që po kalojnë një fazë ekstreme stresi. Kjo pasi stresi “e detyron” trupin t’i aktivizojë gjëndrat e lëkurës, të cilat prodhojnë yndyrë.
Ndryshimet në dëshirën seksuale
Stresi i shtuar ose kronik mund të ndikojë në nivelet e hormoneve në trupin tonë, duke prodhuar sasi më të larta të kortizolit dhe epinefrinës, ndërsa efekti mund ta zvogëlojë epshin – njofton Cleveland Clinic. Përveç kësaj, efektet afatgjata të stresit mund të ngushtojnë dhe kufizojnë rrjedhën e gjakut, i cili është njëri nga një sërë faktorësh që lidhen me mosfunksionimin erektil.
Probleme me tretjen
Stresi kronik mund të shkaktojë një mori komplikimesh të tretjes, duke përfshirë dhimbje barku, kapsllëk dhe diarre. Kjo ndodh sepse zorrët dhe sistemi nervor qendror janë në komunikim të vazhdueshëm.