Friday, November 22, 2024
spot_img
BallinaLajmeMinistria serbe e Mbrojtjes mohon se po stërvit grupe në poligonet e...

Ministria serbe e Mbrojtjes mohon se po stërvit grupe në poligonet e saj

Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka mohuar akuzat e bëra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se në disa poligone ushtarake po stërviten pjesëtarë të grupit që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

“Është gënjeshtër dhe absurditet i plotë që terrenet stërvitore të Forcave të Armatosura të Serbisë po përdoren për stërvitjet e ndonjë njësie, me përjashtim të njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe herë pas here edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha kjo ministri, duke hedhur poshtë po ashtu se ka plane për sulme në territorin e Kosovës.

Më herët gjatë 23 dhjetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Millan Radoiçiq, dhe siç tha, grupi i tij, po përgatiten të kryejnë sulme të reja ndaj Kosovës.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës. Gjatë përleshjeve që pasuan më 24 shtator, u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova e fajëson për sulmin Serbinë, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

Kurti përmendi disa lokacione në Serbi, përfshirë poligone ushtarake, ku pretendoi se po stërviten pjesëtarët e grupit të Radoiçiqit.

Kryeministri kosovar pretendoi se një grup prej 80 personash që janë larguar nga Kosova po vazhdojnë ushtrimet në poligonin Zimovnik, afër Rashkës, dhe se stërvitjet po drejtohen nga ushtarakët serbë në pension.

Po ashtu, ai përmendi edhe poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, ku sipas tij, kanë rinisur ushtrimet e një grupi prej 60 personash të “Mbrojtjes Civile”, që Kurti tha se kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

“Ky grup kishte planifikuar sulme ndaj Policisë tonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi në lokacionet kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative”, tha Kurti, duke thënë se ky grup përbëhet prej njerëzve të besueshëm të Radoiçiqit.

Kurti po ashtu përmendi një plan për një sulm në nëntor për, siç tha, rimarrjen e vilës së Radoiçiqit afër Liqenit të Ujmanit, që autoritetet kosovare sekuestruan pas sulmit të 24 shtatorit.

Megjithatë, Kurti tha se të gjitha këto plane janë të destinuara të dështojnë, duke theksuar se Kosova është e përgatitur të zmbrapsë çdo sulm.

Gjatë konferencës për media, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, paraqiti fotografi, harta dhe materiale të tjera lidhur me ngjarjen në Banjskë.

Ai po ashtu paraqiti informacione për të dyshuarit e sulmit, duke publikuar fotografi dhe informacione të tjera personale për ta.

Sveçla tha se që nga viti 2021 deri më tani, Policia e Kosovës ka qenë cak i 114 sulmeve në veri, kryesisht të kryera nga grupi, që sipas tij, kreu sulmin në Banjskë.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit