Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër ka pritur në një takim të dielën mësuesit e “Shkollës Shqipe” në Zvicër, të ardhur nga disa kantone.
Ambasadori Nano përgëzoi mësuesit për punën e lëvdueshme që kanë bërë deri tani në masivizimin e gjuhës shqipe dhe vlerësoi lart përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre.
“Ai garantoi angazhimin maksimal të Ambasadës së Shqipërisë në Bernë në mbështetje të masivizimit të mësimit të gjuhës shqipe në diasporën shqiptare në Zvicër. Ai shprehu vlerësim të veçantë për prindërit e impenjuar në mbështetje te “Shkollës Shqipe” si dhe për të gjithë veprimtarët që kontribuojnë në ndërgjegjësimin e komunitetit shqiptar për domosdoshmërinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës e traditave të bukura shqiptare”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Koordinatori i “Shkollës Shqipe”, profesor Vaxhid Sejdiu dhe mësueset falënderuan Ambasadorin për mbështetjen dhe gatishmërinë e tij në avancimin e mësimit të gjuhës shqipe dhe premtuan për hapje të reja të klasave shqipe.
Me këtë rast Ambasadori u shpërndau mësuesve tekstet shkollore për nxënësit e diasporës shqiptare në Zvicër, të botuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën në Tiranë dhe të dërguara nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.