Thursday, December 26, 2024
spot_img
BallinaLajmeKurti: Radoiçiq ka caktuar këta dy persona për të realizuar sulme në...

Kurti: Radoiçiq ka caktuar këta dy persona për të realizuar sulme në veri

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia është duke vazhduar të bëjë luftë hibride ndaj Kosovës.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se këtë Serbia po e bën me anë të sulmeve të ndryshme, duke përmendur Banjskën dhe sulmin në Ibër-Lepenc.

Ai tha se Milan Radoiçiq, që konsiderohet si kreu i grupit që e ka kryer sulmin në Banjskë të shtatorit të vitit të kaluar, i ka edhe dy njerëz të cilët punojnë për të dhe po kryejnë sulme në veri.

“Gradualisht është përshkallëzuar situata në katër komunat në veri përmes grupeve të vogla të lidhura me Milan Radoiçiq. Bazuar në informacionet që posedojnë institucionet e sigurisë në Kosovë, Radoiçiq ka caktuar dy persona, të afër të tij për të realizuar sulme në veri përmes grupeve të tyre, të cilët kanë marrë pjesë edhe në sulmin terrorist në Banjskë, dhe strehohen në Serbi”.

“E këta dy persona janë Nemanja Radivojeviq i njohur si ‘Gandi’ dhe Vlladimir Radivojeviq i njohur si ‘Mami”, ka thënë Kurti.

A ka gjasa të shpallet Lista Serbe organizatë terroriste? – përgjigjet kryeministri

Kurti ka thënë se vendimi që Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore të shpallen si terroriste doli të jetë i duhur, ndërsa theksoi se për të vendosur nëse duhet të bëhet diçka e tillë edhe me Listën Serbe, u takon organeve të ndjekjes dhe sigurisë që të zbardhin nëse ka ndonjë ndërlidhje mes këtij subjekti politik me dy organizatat e lartpërmendura.

“Ne kemi shpallur organizata terroriste Mbrojtjen Civile, dhe Brigadën Veriore, më 29 qershor 2023 në mbledhje të qeverisë. Për ato kemi pasur fakte të bollshme, dhe këtë gjë e kemi bërë. Kemi marrë shumë kritika ndërkombëtare për atë veprim tonin, dhe merreni me mend më pak se tre muaj më vonë na ndodhi Banjska. Shpallja, doli të ketë qenë veprim i duhur, vendim adekuat nga ana jonë”, u shpreh shefi i qeverisë në konferencë për media.

“Tash bëhet fjalë për një parti politike që është e ndryshme për nga karakteri me Mbrojtjen Civile dhe Brigadën Veriore, dhe megjithatë ne nuk i kemi vendosur në të njëjtën kategori.

Por, do të thosha që u përket organeve të ndjekjes dhe sigurisë, dhe sidomos Prokurorisë së Shtetit dhe Gjykatës që të zbardhin shumë më tepër, dhe me shpejtësi të shtuar të sjellin drejtësi, edhe mbi lidhjet e mundshme ndërmjet Mbrojtjes Civile e Brigadës Veriore në njërën anë dhe Listës Serbe në anën tjetër”, shtoi ai.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit