Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në Facebook lidhur me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në vitin 2024, tha se për Qeverinë e tij prioritet mbetet siguria e Kosovës, integriteti territorial dhe përmirësimi i kushteve të jetesës së të gjithë qytetarëve pa dallim.
Ne lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes dhe se deklarata e fundit e ndërmjetësit në dialog, Miroslav Lajçak, nënkupton se çështja e draft-statutit është “vetëm çështje e brendshme e Kosovës”.
“…Në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka thënë se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “mund të nënshkruhet në Samitin e Këshillit Evropian”, i cili do të mbahet më 21 dhe 22 mars 2024.
Kosova dhe Serbia e pranuan marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në fund të shkurtit dhe një dokument aneks për zbatimin e saj u dakordua në Ohër në mes të marsit. Megjithatë, Kosova insistoi në nënshkrimin e këtyre dokumenteve, të cilat Serbia i refuzoi.
Më 14 dhjetor, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabich, e dorëzoi një letër zyrtare në selinë e Bashkimit Evropian, ku shpreh rezerva për detyrimet që dalin nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, përfshirë aneksin zbatues. Zyrtarët e lartë të Serbisë në disa raste kanë thënë se nuk do ta pranojnë asnjëherë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Nga ana tjetër, Kosovës po i kërkohet formimi i Asociacionit tw komunave me shumicë serbe në Kosovë në bazë të një draft-statuti i cili iu paraqit Kosovës dhe Serbisë në tetor nga përfaqësues të BE-së, SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Kurti dhe Vuçiqi e pranuan atë statut në parim.
Në një intervistë për portalin kosovar Gazeta Express, i dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë se marrëveshja duhet të formalizohet deri në fund të janarit dhe se për këto kërkesa të palëve pritet zbatimi i Asociacionit.
“Ekipi im e ka shqyrtuar edhe një herë çështjen e zyrtarizimit sipas kërkesës së Kosovës dhe ne i kemi ofruar Kosovës disa opsione në këtë drejtim dhe aktualisht presim përgjigjen e tyre”, tha Lajçak.
Për sulmin në Banjskë
Kurti iu është referuar edhe sulmit në Banjskë me vlerësimin se “përfundimet e hetimit duhet të publikohen menjëherë dhe Millan Radoiçiq dhe anëtarët e grupit të tij paraushtarak duhet t’i dorëzohen autoriteteve të Kosovës”.
Një grup serbësh të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë më 24 shtator, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë. Kosova pretendon se pas këtij sulmi qëndron Serbia, të cilën Beogradi zyrtar e mohon.
Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili ka thënë se gjithçka e ka organizuar vetë, dhe se për këtë nuk ka njoftuar askënd. Ndërkohë, në fillim të dhjetorit, me kërkesë të Kosovës, Organizata Ndërkombëtare e Policisë (Interpol) lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin.
“Shpresoj që Bashkimi Evropian dhe ShBA-të do t’i vendosin sanksione Serbisë, e posaçërisht Presidentit të saj Aleksandar Vuçiq, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, për eskalimin në veri të vendit tonë dhe për heqje dorë nga Marrëveshja Bazike (nëpërmjet letrës së Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të 14 dhjetorit)”.