Tri projektet që po cilësohen si gjigante për komunën e Gjilanit ishin ndër temat që zunë vend në takimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe kryetarit tw qytetit, Alban Hyseni.
Këto projekte janë stadiumi i qytetit, një investim rreth 15 milionë eurosh.
Për këtë, Kurti gjatë takimit tha që do filloj procedura e tenderimit gjatë javës së ardhshme. Kanë kaluar 6 vjet prej kur kanë filluar punimet, janë ndërruar dy kryetarë komune e katër ministra të Sportit por Stadiumi i Gjilanit ende nuk ka përfunduar. Ndërkaq, dy klubet e Gjilanit, Drita dhe Gjilani, të cilat aktualisht po i zhvillojnë ndeshjet si vendas në një stadium ndihmës.
Ndërkaq, dy projektet tjera janë unaza rrugore e qytetit me 26 milionë euro kosto, dhe i treti bulevardi me 12 milionë euro. Këto dy të fundit, janë të buxhetuara për vitin e ardhshëm.
Për bulevardin, u tha që janë planifikuar rreth 20 mijë metra katrorë hapësirë publike, me infrastrukturë nëntokësore, me parking nëntokësor, shkruan në komunikatën e Qeverisë.
“Në Gjilan pra siç shihet po vij për punë dhe po gjejmë punë sepse popullsia e Gjilanit ashtu sikurse edhe kryetari i Gjilanit janë njerëz punëtorë. Për të filluar projekte, për të parë punimet, për t’i përuruar ato, dhe këso lloj vizitash do të vazhdojnë të shpeshtohen për shkak se edhe punët janë gjithnjë e më të mëdha”- ka thënë Kurti.
Kryetari, Alban Hyseni, tha se e ka njoftuar nga afër Kurtin për projektet që i kanë përfunduar dhe realizuar, në fushën e infrastrukturës, shëndetësisë, mirëqenies sociale e të arsimit ndër të tjera.
Një prej tyre që u theksua si arritje e komunës është investimi 1 milion euro në Shkollën e Mesme Teknike, ku sipas tij është dyfishuar numri i nxënësve në dy vitet e para në ktahasim me numrin e përgjithshëm për tri vitet tjera.
Në këtë shkollë janë 12 profile të ndryshme nga mekatronika, shkencat kompjuterike, deri tek hidroinstaluesit, instaluesit e ngrohjeve qendrore, profile të tjera që janë inxhinieria e kështu me radhë.
Gjatë kësaj vizite në Gjilan, Kurti do të ndjekë nga afër punimet që po bëhen në rrugën “Hamdi Kurteshi”, dhe po ashtu do të marrë pjesë në përurimin e Parkut “Banja”, në Gjilan.