Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ekspozitën “Bebëzat e mallit”, të fotografit Korab Krasniqi dhe kuratores Vesa Sahatçiu dedikuar fëmijëve të vrarë, të zhdukur dhe të prekur nga lufta në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Zyra e Kryeministrit ka zbardhur fjalimin e plotë të Kurtit, i cili e nisi fjalën e tij me disa vargje të poetit të ndjerë, Xhevdet Bajraj.
““Në qorrsokakun e përgjakshëm
Ku e vranë foshnjën e sapolindur
Dhe babanë e saj
U desh të kalojnë 20 vjet
Për t’ia gjetur mbetjet mortore e për t’ia dhënë nënës së vet
Ajo sapo i mori eshtrat në dorë,
I afroi tek gjiri i saj.
Më paska pritur a?
Se nuk qenka rritur fare tha
E buzëqeshi
Mu para se të hapej toka
E ta përpinte.”
Këto janë vargje të poetit tonë të ndjerë Xhevdet Bajraj, për thellësinë e humbjes, mallit e mungesës”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, krahas së qenurit një hapësirë e posaçme e përkujtimit, kjo ekspozitë është edhe ftesë për reflektim e përfshirje në diskutim rreth mënyrës se si e mendojmë dhe përfaqësojmë humbjen, individuale a kolektive.
Ai është shprehur se liria i ka rrënjët te të rënët, teksa ka thënë se vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë.
“Andaj e kemi obligim, për lirinë dhe paqen që e gëzojmë, për drejtësinë që e synojmë që kurrë mos t’i harrojmë”, ka thënë mes tjerash kryeministri Kurti.