Një letër ku kërkohet heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, i është dërguar shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak.
Kjo letër është nënshkruar nga kryetarët e Komisioneve të Jashtme Parlamentare të disa shteteve mike.
Në mesin e nënshkrueseve është edhe deputetja britanike Alicia Kearns.
Kearns ka reaguar në “X” duke thënë se në këtë letër kërkohet gjithashtu edhe hetim i plotë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
Kanë kaluar më shumë se 2 muaj që kur militantët e armatosur rëndë të udhëhequr nga ish-zëvendës presidenti i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, vranë një zyrtar policor kosovar dhe sulmuan Banjskën. Sasia dhe lloji i armatimit sugjeron mbështetje nga shteti serb. Ne kemi nevojë për një hetim zyrtar me rezultate publike”, ka shkruar Kearns në “X”.
Deputetja britanike tutje shton se Milan Radoiçiq ka pranuar sulmin dhe se i njëjti duhet të ekstradohet në Kosovë për t’u përballur me gjykimin.
“Nuk ka asnjë justifikim që Serbia të mbrojë Radoiçiqin dhe bashkëpunëtorët e tij nga përballja me drejtësinë për krimet e tyre”, shprehet Kearns.
Deputetja ka falënderuar kryesuesit që u mblodhën gjatë 24 orëve të fundit për të nxitur BE-në që më në fund të miratojë një qasje më të drejtë për marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
“Paqja kërkon drejtësi dhe llogaridhënie, të dyja aktualisht mungojnë”, tha ajo.