Kosova i është kundërpërgjigjur BE-së, zyrtarë të së cilit specifikuan masat ndëshkuese që mund të merren ndaj saj për situatën në veri. Ekzekutivi ka thënë se është e vështirë të arsyetohet se si BE-ja ndërmerr masa negative ndaj Kosovës, të cilën më parë e ka vlerësuar pozitivisht për progresin e saj.
Pezullimi i punës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, pezullimi i financimit të programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike.
Këto masa ndëshkuese janë specifikuar mbrëmjen e së martës në Bruksel si paralajmërim për Kosovën për shkak të mosndërmarrjes së hapave të kërkuar nga BE-ja për uljen e tensioneve në veri.
Por ndaj kësaj deklarate të drejtorit të përgjithshëm për zgjerim në Komisionin Evropian, Jan Koopman, ka reaguar Qeveria e Kosovës.
Në një përgjigje për televizionin Dukagjini të mërkurën, zëdhënësi i Ekzekutivit, Përparim Kryeziu e ka vlerësuar të padrejtë çfarëdo mase ndaj Kosovës.
“Është vështirë të arsyetohet se si Bashkimi Evropian ndërmarr masa negative ndaj Kosovës, të cilën në raportin e tij të fundit për vendit e përshkruan në dritën më pozitive ndonjëherë; si në luftën kundër krimin dhe korrupsionit, si në demokratizim, si në zhvillim ekonomik, ashtu dhe në avancim të kornizën ligjore në përputhje me Acquis të BE-së”, ka thënë Kryeziu.
Kryeziu ka rikujtuar propozimin pesë pikësh të kryeministrit Albin Kurti për depërshkallëzimin e situatës, i cili sipas tij, do të ruante parimin e sundimit të ligjit dhe t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja.
Por, Qeveria kritikon BE-në për mos qortim të hapur dhe të prerë ndaj Serbisë pas sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
“Situata u përshkallëzua atëherë kur grupe kriminale dhe formacione ilegale dhe paralele sulmuan Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe gazetarë që raportonin nga terreni. Grupe këto me lidhje të drejtpërdrejta me Beogradin zyrtar dhe formacione ilegale, si e ashtuquajtura “Mbrojtje Civile”, të cilat me marrëveshje të Brukselit, nuk do të duhej të ekzistonin. E megjithatë asnjë vërejte të hapur e të prerë për Serbinë. Pavarësisht gjithçkaje ne e vlerësojmë mbështetjen dhe ndihmën e BE-së dhe me padurim e presim pyetësorin për anëtarësim”,