Formimi i grupit të punës për ndryshim të ligjit për Këshillin gjyqësor, sipas kreut të Besës Bilall Kasami, nuk do të sjell rezultate dhe ndryshime reale. Sipas tij, kjo është dhe një përpjekje tjetër e ministrit Krenar Lloga për të rritur vlerësimin e tij para zgjedhjeve.
“Po shihet që ata nuk kanë kapacitet dhe aftësi të bashkëpunojnë me të gjithë faktorët e rëndësishëm relevant politik në vend, nuk kanë kapacitet të bashkëpunojnë as brenda qeverisë. Zhvillimet e fundit brenda qeverisë tregojnë që tani më mbi interesin e qytetarëve, realizimet e programit të qeverisë janë interesat e disa partive të cilat po mundohen të përfitojnë për politikë ditore. Prandaj vlerësoj që edhe kjo lëvizje e ministrit ka të bëjë me tentimin e tij që të krijojë një pozicion sa më të mirë për zgjedhjet e radhës dhe nuk është në të mirë të reformave në drejtësi”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.