Kandidatët për president sot nënshkruan Kodin për zgjedhje korrekte dhe demokratike. Me këtë rast ata u zotuan se nuk do të kryejnë presione ndaj administratës dhe institucioneve tjera të mbështetura nga buxheti i shtetit. Kandidatët gjithashtu u zotuan se nuk do të përdorin gjuhën e urrejtës gjatë fushatës zgjedhore.
“Jam i bindur se integriteti i procesit zgjedhor nuk do të rrënohet. Do të dëshmojmë si shtet se jemi të gatshëm që të mbajmë zgjedhje të lira dhe demokratike dhe atë në nivelin më të lartë sipas standardeve ndërkombëtare. Procesi do të jetë demokratik”, tha Stevo Pendarovski, kandidat për president nga radhët e LSDM-së.
“Posaçërisht problematike do të jetë ti përmbaheni Kodeksit për zgjedhje të lira kur bëhet fjalë për kandidat me status të lartë në shtet të cilët përdorin resurse shtetërore. Do t’i respektoj të gjithë kandidatët e posaçërisht kandidaten tjetër. Më vjen mirë që jemi dy femra, që dëshmon se edhe femrat mund të garojnë për pozicione të larta në vend”, tha Siljana Siljanovska-Davkova, kandidate për presidentë nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
Edhe kandidati i BDI-së Bujar Osmani u zotua për fushatë pozitive.
“Mirëpres këtë iniciativë të KSHZ-së që të nënshkruajmë kodin për zgjedhje korrekte dhe demokratike, kjo është më tepër çështje e moralit politik se do tu qasemi në mënyrë korrekte këtyre zgjedhjeve. Në fund të fundit kjo do të reflektoj moralin politik dhe karakterin tonë. Nuk do të përdor fushatë të zezë, por garën politike e nënkuptoj si garë të ofertave alternative ku do të debatohet për projekte dhe ide”, tha Bujar Osmani, kandidat për president nga radhët e BDI-së.
Ndërkohë kandidati i koalicionit VLEN, Arben Taravari theksoi nevojën e debateve mes kandidatëve gjatë fushatës zgjedhore.
“Kjo është një ceremoni e mirë që tanimë po bëhet traditë para zgjedhjeve, e çmoj si një akt shumë të mirë që të gjithë ne zotohemi se do t’i përmbahemi këtij kodi. Jemi larg asaj që të organizojmë zgjedhje si në shtetet evropiane. Uroj që të kemi debate, pavarësisht se kush i organizon, debatet janë të pashmangshme, ne duhet të ballafaqohemi mes vete. Uroj që këto zgjedhje të jenë të lira dhe demokratike, edhe pse kjo nuk varet nga ne kandidatët por më shumë nga partitë politike”, u shpreh Arben Taravari, kandidat për president nga radhët e VLEN-it.
Kodeksin e nënshkruan edhe kandidatët e tjerë si Maksim Dimitrievski, Stevçe Jakimovski dhe Biljana Vankovska.