Mbi 250 intelektualë shqiptar, profesorë universitar hodhën firmat në një letër të hapur drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ku kërkohet që Gjykata të mos abrogojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
Në mesin e firmëtarëve janë Rektorët e tre universiteteve në gjuhën shqipe: Prof. Dr. Abdulmenaf Bexheti – UEJL, Prof. Dr. Jusuf Zejneli – UT, Prof. Dr. Izet Zeqiri – UNT. Poashtu, në mesin e të nënshkruarve dallohen profesorë të njohur e dekanë aktualë të shumë fakulteteve, në mesin e tyre po veçojmë gjuhëtarin e njohur Prof.dr Agim Vinca, pastaj profesorët: Agni Dika, Nuri Bexheti, Abdulla Aliu, Asllan Bilalli, Safet Emruli, Qebir Avziu, Jeton Shasivari, Fatmire Lumani, Mersim Maksuti, Arta Bilalli, Fadil Zendeli, Bashkim Ziberi, Muamet Shehabi, Kenan Ferati, Etem Iseni, Ruzhdi Matoshi, Fati Iseini.
Në vazhdim po ua përcjellim të plotë letrën e hapur të intelektualve shqiptar drejtuar Gjykatës Kushtetuese me firmat e tyre.
Ne, anëtarët e komunitetit akademik shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, po ndjekim me vëmendje punën dhe aktivitetet tuaja (siç janë deklaratat televizive, intervistat etj.) në lidhje me kërkesën e parashtruar pranë kësaj Gjykate për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, të miratuar në Kuvendin Republikan dhe të shpallur në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nr. 7/2019.
Na lejoni të theksojmë fillimisht ndjeshmërinë tonë, si njerëzore ashtu edhe kombëtare, ndaj statusit të gjuhës sonë amtare – gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut si një çështje me rëndësi kapitale për ne dhe, besojmë, për të gjithë ata që ia duan të mirën këtij shteti.
Është krejtësisht e natyrshme që ne të angazhohemi për barazinë e plotë të gjuhës shqipe si gjuhë komunikimi jo vetëm në nivel lokal, por edhe në atë shtetëror. Akti juridik I vitit 2019 e sanksionon një status të tillë të gjuhës shqipe në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Ky trajtim është garancë për barazinë, lojalitetin dhe respektin e ndërsjellë të qytetarëve ndaj RMV-së si shtet.
Nga sa kemi pasur rastin të dëgjojmë nga Ju, të nderuar Gjyqtarë, si dhe nga disa përfaqësues të lartë politikë (si, për shembull, deklaratat e Kryeministrit Mickovski, i cili pohon se do të abrogohen vetëm dy-tre nene të ligjit në fjalë), kemi arsye të dyshojmë se mund të bëheni pjesë e realizimit të një skenari me motive politike, që ka për qëllim pikërisht atë që po deklarohet haptas në nivelin më të lartë shtetëror.
Duke pasur parasysh pozitën dhe rolin kushtetues që keni Ju si përfaqësues të institucionit më të lartë juridik, i cili sipas Kushtetutës është i pavarur dhe pa ndikime politike, vazhdojmë të shpresojmë se nuk do të lejoni realizimin e skenarëve të tillë, të cilët cenojnë ndjenjat e çdo qytetari shqiptar. Një veprim i tillë do të fundoste besimin e qytetarëve, veçanërisht të atyre shqiptarë, në funksionimin e institucionit që ju përfaqësoni dhe që pritet të marrë vendime në mënyrë të pavarur, sipas bindjeve tuaja, bazuar në Kushtetutë dhe ligj, e jo sipas ndikimeve politike ngado që të vijnë ato.
Përkujtojmë opinionin e gjerë publik dhe Ju, të nderuar gjyqtarë, se e kaluara e punës së Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar tensione e pakënaqësi, kurdo që ka marrë vendime të njëanshme dhe arbitrare, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike dhe kanë cenuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve për barazi dhe drejtësi, të realizuara në rrugë institucionale.
Mjafton të kujtojmë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 1997, të cilat çuan në ndërhyrje të dhunshme shtetërore në komunat e udhëhequra nga kryetarë shqiptarë të zgjedhur në mënyrë legjitime. Kjo solli ngjarjet tragjike të Gostivarit, ku pati edhe viktima në njerëz.
Ndërgjegjja dhe profesionalizmi Juaj nuk duhet të lejojnë që vendimet tuaja të jenë nxitëse të pakënaqësisë apo të përsëritjes së pasojave dhe të aktgjykimeve me motive politike, si ato që përmendëm më lart. Nuk duhet harruar as aktgjykimi i vitit 2007, i cili çoi në dorëheqjen e Kryetarit dhe të njërit nga anëtarët shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese.
Me këtë rast, shprehim edhe mospajtimin dhe indinjatën tonë lidhur me vendimin për eliminimin e deklarimit të përkatësisë etnike, me çka ne praktikisht kthehemi në kohën para nënshkrimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, sepse eliminon mundësinë për të përcjellë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, që është kategori kushtetuese dhe që mundësoi përfshirjen e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në insititucione. Çdo tendencë me të cilën synohet, qoftë edhe në mënyrë të sofistikuar, të ndryshohet karakteri i shtetit dhe ta shndërrojë përfaqësimin e drejtë vetëm në fjalë në letër, nuk i ndihmon kohezionit ndëretnik dhe besimit të ndërsjellë në shtetin tonë multietnik.
Është bindje e përgjithshme se rastet e sipërpërmendura kanë lënë plagë të thella në kujtesën e shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ju, si anëtarë të një institucioni që ka për detyrë mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të vlerave që promovon Kushtetuta, veçanërisht në aspektin e respektimit të ndërsjellë të të drejtave etnike në një shoqëri multietnike siç është Republika e Maqedonisë së Veriut, keni obligim ligjor t’i ruani këto vlera.
Ne duam të besojmë dhe shpresojmë se ndërgjegjja Juaj morale dhe profesionale nuk do lejojë cenimin e vlerave kushtetuese dhe do të dëshmojë ndjeshmëri të mjaftueshme ndaj statusit tashmë të fituar të gjuhës së bashkësisë së dytë etnike në vend, gjuhës shqipe.