Më shumë se 24 orë pas sulmit të armatosur në Haraçinë, policia ende nuk e ka identifikuar autorin. Personi I cili qëlloi në drejtim te kreut të komunës Ridvan Ibrahimi, e që plagosi dy persona të tjerë vazhdon të jetë i pakapshëm për autoritetet, edhepse sipas informacioneve të Alsat, ky person është I njohur për policinë, ai është një përsëritës I veprës dhe ndaj tij ka një fletarrest për vrasje dhe vepra të tjera të dhunës.
Nga Prokuroria Themelore Publike, thonë se pasi kanë bërë hetimin në vendgjarje, është dhënë urdhëresa për mbledhjen e gjurmëve dhe ekspertizë, sigurimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë dhe veprime të tjera.
Në ndërkohë gjendja e personave të plagosur është stabile. 21 vjeçari i cili u lëndua më rëndë nga ky sulm është jashtë rrezikut për jetën.
“Pacienti është në rikuperim e sipër, natën e ka kaluar në gjendje stabile, prej mëngjesit është duke u liruar nga respiratori që domethënë pritet që Brenda ditës të kalojë në frymëmarrje spontane. Që vetvetiu domethënë se parametrat vitale të pacientit janë në normalizim e sipër dhe kjo na siguron se rikuperimi do të jetë më I shpejtë. Për momentin nuk presim ndonjë komplikim të hershëm, normalisht ende ka hapësirë për kujdes intensive dhe vigjilencë, shpresojmë që të shkojë gjithçka në rregull”, deklaroi Nexhati Jakupi, Drejtor i klinikës torakale.
Sulmi i armatosur ndaj kreut të Haraçinës Ridvan Ibrahimi ndodhi dje në kohën kur ai po mbikëqyrte punimet në rrugë të fshatit. Autori, ndaloi automjetin e tij në afërsi të vendit ku po zhvilloheshin aktivitete dhe me pushkë automatike “kallashnikov” qëlloi drejt Ibrahimit. Gjatë këtij sulmi u plagosën shoferi i kryetarit dhe një nëpunës I komunës.