Të mërkurën është hapur tenderi për stadiumin e Tetovës.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Tetovës, Bilall Kasami përmes një postimi në Fejzbuk.
“Mbajmë fjalën e dhënë, sepse premtimet tona nuk janë vetëm fjalë.
Në vetëm dy vjet qeverisje realizojmë atë që të tjerët me dekada nuk arritën ta bëjnë!
Tetova me stadium modern!”, ka shkruar Kasami.
Sipas shpalljes publike të bërë nga ana e Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, lënda e kontratës së prokurimit publik është ndërtim dhe rikonstruim i objekteve sportive, ndërkaq vlera e parashikuar është 600.000.000 denarë pa TVSH, që i bie rreth 9.7 milionë euro.
Tenderi do të jetë i hapur deri më 22 dhjetor 2023, ndërsa ofertat të dorëzohen jo më vonë se ora 14:30.
Ndërsa kohëzgjatja e kontratës thuhet se është në periudhë prej 36 muajsh.