Saturday, November 23, 2024
spot_img
BallinaLajmeHapet shkolla shqipe në Nidergösgen, të kantonit Solloturn

Hapet shkolla shqipe në Nidergösgen, të kantonit Solloturn

Hap dyert për nxënësit shqiptarë edhe një shkollë shqipe në Zvicër

Nga një vendbanim në tjetrin, nga njëri skaj i Zvicrës në tjetrin, “Shkolla Shqipe” në Zvicër vazhdon me hapjen e pikave të tjera shkollore.

Pa dyshim se aty ku punohet me përkushtim, sukseset nuk mungojnë. Kështu thonë përfaqësues të shkollës shqipe në Zvicër.

Pas dhjetëra pikave shkollore në mbarë Zvicrën, më 15 nëntor 2023 u hap edhe pika shkollore e radhës, tani në në Nidergösgen, të kantonit Solloturn.

Isuf Ismaili: Në “SHKOLLËN SHQIPE”, Zvicër, në Nidergösgen, të kantonit Solloturn, bilbilat e gjuhës sonë filluan ta cicërojnë shqipen e bukur.

Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” vazhdon të shkëlqejë nga drita e suksesit. Ajo me ngulm vepron si shqiponja nënë për zogjtë e vet. Pra, kështu edhe vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” vepron pareshtur për të hapur dyert e shkollave në Zvicër, atje ku ka shqiptarë, atje ku nxënësit shqiptarë do të mëkohen me fjalën e bukur të gjuhës sonë. E nuk ka më bukur se kur fëmijëve, sidomos në mërgatë, u mëkohet shpirti me fjalën shqipe. Edhe në vendbanimin Nidergösgen u hapën dyert e shkollës për nxënësit që duan ta mësojnë gjuhën shqipe, letërsinë e kulturën shqiptare. Koha e mirë shihet qysh në mëngjes. Në ditën e parë u regjistruan në Shkollën Shqipe në Nidergösgen tridhjetë e nëntë nxënës. Ky është lajm jo vetëm i mirë, por edhe tejet mbresëlënës, shumë i hareshëm. Shembuj të tillë, duhet të jenë motivues për vendbanimet të tjera në Zvicër, ku zogjtë e vegjël të gjuhës shqipe hedhin shtatin.  Të gjithë këta nxënës në Nidergösgen të buzëqeshur të lumtur që nga tani e tutje do të mësojnë edhe shqip.

Pra, e mërkura solli gëzim dhe hare në shkollën fillore në Niedergösgen të kantonit të Soloturn. Dhjetëra fëmijë pasi kishin mbaruar mësimet e rregullta në shkollën e vendit, këtë pasdite vazhduan mësimet në gjuhën amtare. Klasa kishte marrë një pamje të bukur të ndritshme. Këta fëmijë nga sot filluan një përpjekje të re, për ta mësuar në mënyrë të rregullt gjuhën e nënës, gjuhën shqipe.

Pas një përpjekje më se dy mujore në bashkëpunim me prindërit veçanërisht të znj. Lutfije Bujari dhe koordinatorin e “Shkollës Shqipe” në Zvicër, profesor Vaxhid Sejdiun si dhe drejtorinë së shkollës në Niedergösgen u arrit që të hapen dyert e shkollës shqipe, duke i gëzuar jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit e tyre.

Aty ku hapet një derë e shkollës shqipe, rriten shpresat që fëmijët shqiptarë ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare. Ruajtja e gjuhës amtare pa dyshim mbron edhe shqiptarësinë tonë. Në këtë rrugëtim të mbarë “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi dyert për këta fëmijë shqiptarë, pra edhe në fshatin  Niedergösgen të kantonit të Soloturnit, që edhe ata ta mësojnë gjuhën shqipe në mënyrë të rregullt. Mësimi zhvillohet në shkollën fillore në adresën Jurastrasse 33, në Niedergösgen.

Nxënësit Edioni, Jara, Merjemi, Sara, Tuana, Endi, Rona, Lina, Era, Bora, Asti, Arbi, Arta, Erlinda, Jana, Aela, Aniku, Artani, Eljana, Amela, Lueji, Samueli, Davide, Lorisi, Faizi, Loreja, Learta, Learti, Alberita, Saranda, Alisa, Joni, Amra, Havsa, Dijari, Yara, Arbeni, Aulona etj., të gjithë janë të motivuar e me libra në duar për ta mësuar gjuhën amtare.

Buzëqeshjet, fjalët që shqiptonin në gjuhën shqipe, qoftë edhe ato fjalë me gabime, ngjallnin shpresën se gjuha shqipe po përhapet me suksese të madh në Zvicër, falë aktivitetit dhe angazhimit të veprimtarëve të “Shkollës Shqipe” në Zvicër dhe veçmas të profesor Vaxhid Sejdiut, i cili me përkushtimin e tij është bërë shembulli më i mirë në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare, jo vetëm në Zvicër, por edhe në mbarë mërgatën shqiptare.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit