Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që ta pranojë se politika e saj e butë ndaj Serbisë ka dështuar.
Këtë reagim shefja e diplomacisë së Kosovës e ka bërë pas një letre dërguar BE-së nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.
Në këtë letër, të cilën Donika Gërvalla ia ka bashkëngjitur postimit të saj në rrjetin social “X”, kryeministrja serbe thotë se Serbia nuk e ka ndërmend të zbatojë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe as aneksin për imlementimin e saj, për çka dy vendet janë angazhuar në Ohër.
“Serbia në mënyrë eksplicite shpreh refuzimin e saj për të zbatuar dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit” – ka shkruar ministrja Gërvalla.
“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të pranojë se politika e butë ndaj Serbisë ka dështuar. Tani nevojitet një ndryshim thelbësor” – ka shtuar ajo.
Në letrën e saj drejtuar Bashkimit Europian, kryeministrja serbe thotë se përkrahja që Serbia i dha përmbajtjes së deklaratës së përbashkët të Samitit BE-Ballkani Perëndimor është “vetëm brenda një konteksti që nuk i përket njohjes de facto dhe de jure të Kosovës”.