Aktivisti dhe lobisti i njohur Faton Bislimi si pjesë e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka dhënë një lajm të rëndësishëm lidhur me qasjen e Uashingtonit, gjegjësisht Senatit Amerikan në raport me situatën në Luginën e Preshevës dhe shqiptarët atje, përcjell INA.
Sipas tij, falë këtij angazhimi dhe lobimit të tyre, senatorët e njohr amerikan Ernst dhe Peters i janë drejtuar Sekretarit Amerikan të Shtetit, Blinken që të ngrisë çështjen shqiptare në Luginë në çdo komunikim apo takim me autoritetet serbe.
Ja njoftimi i tij:
Kam argumentuar me vite të tëra se çelsi i zgjidhjes së sfidave me minoritetin serb në Kosovë është Lugina e Preshevës! Sot, jam më shumë se krenar të ndaj me ju letrën e bashkëkryesuesëve të Grupit për Çështje Shqiptare në Senatin e SHBA-ve, Senatorës Joni Ernst (Republikane nga Iowa) dhe Senatorit Gary Peters (Demokrat nga Michigan) drejtuar Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, z. Blinken, për Luginën e Preshevës dhe kauzën e drejtë të shqiptarëve etnikë atje!
Letra vije si rezultat direkt i punës sime dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane bashkë me delegacionin nga Lugina e Preshevës, me të cilët më 28 shkurt 2023 mbajtëm edhe një brifing në zyrat e Senatorëve Peters e Ernst në Senatin e SHBA-ve!
Në letrën e tyre, Senatorët i kërkojnë Sekretarit të Shtetit që të ngrisë temën e çështjes shqiptare në Luginë në secilin komunikim apo takim me autoritetet serbe. Letra potencon faktet tanimë të vërtetuara ndërkombëtarisht — qoftë përmes Raporteve të vet Departamentit të Shtetit apo edhe Rezolutës së Parlamentit Evropian të Majit 2023 — për diskriminimin shtetëror ndaj shqiptarëve në Luginë, me theks të veçantë, pasivizimin e adresave si metodë administrative e spastrimit etnik.
Tutje, në letër kërkohet realizimi i Planit Shtatëpikësh për të drejtat shqiptare në Luginë i pranuar edhe nga Serbia qysh më 2013. “Që nga ajo kohë, qeveria në Beograd ka bërë progres të limituar në implementimin e këtij plani. Asnjë nga pikat prioritare të planit nuk është realizuar në tërësi, e tek përfaqësimi në institucione qeveritare, nuk ka pasë aspak progres,” thuhet në letër.
“Ky plan është rruga diplomatike përpara për një komunitet që ka vuajtur kaq shumë nga të gjitha konfliktet e viteve të 1990-ta e tutje,” dhe përderisa Senatorët përkahin procesin e dialogut (në mes Kosovës e Serbisë), ata po ashtu besojnë se “zgjidhja e drejtë e kërkesave legjitime të shqiptarëve etnikë në Luginë të Preshevës është çelësi për stabilitet dhe paqe afatgjatë në rajon,” përfundojnë letrën e tyre Senatorët Peters dhe Ernst!
Letra senatoriale vije pak muaj pas letrës kongresionale të Kongresistëve Himes e Torres, po ashtu për Luginën, drejtuar Sekretarit Blinken.
https://www.facebook.com/faton.bislimi.7/posts/23939567842325282?ref=embed_post