Deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak Emilja Rexhepi, ka shprehur “mbështetje absolute” për një qeveri eventuale të Albin Kurtit, por edhe për shumicë parlamentare të Vetëvendosjes, përkatësisht në zgjedhjen e Kryetrarit të Kuvendit.
Rexhepi tha se e çmon “ofertën për pozitë ministrore” që i ka dhënë së fundi Albin Kurti, po se do të qëndrojë në parlament, dhe që njerëzit e saj “të marrin pozita të mira brenda institucioneve qeveritare”.
“Unë i jap mbështetjen time absolute kryeministrit Kurti, si përmes parlamentit ashtu edhe në formimin e qeverisë së re”, tha ajo në Klan Kosova.
Dëshiroj të falënderoj kryeministrin Albin Kurti për punën tonë të përbashkët ekipore dhe besimin që kam pasur personalisht. Unë kam qenë ministre e Vetëqeverisjes Lokale dhe më pas zëvendëskryeministre, që ishte një privilegj i madh për boshnjakët e Kosovës.
Dëshiroj ta falënderoj edhe për ofertën e pozitës ministrore në qeverinë e re, por vendimi im është që të kthehem në parlament dhe njerëzit rreth meje që sollën fitoren e NDS-së në këto zgjedhje, të marrin pozita të mira brenda institucioneve qeveritare dhe të ndihmojnë qytetarët në kërkesat e tyre, që kanë të bëjnë me përmirësimin e kësaj jete dhe afirmimin më të fuqishëm të boshnjakëve në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës”.