Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se Kosova po bëhet pjesë e programit “Evropa Digjitale” në vlerë prej 7 miliardë euro.
“Në emër të Republikës së Kosovës, nënshkrova Marrëveshjen Kornizë të këtij Programi, ndërsa nga ana e Komisionit Evropian, marrëveshja është nënshkruar nga Roberto Viola, Komisioner për Komunikim, Rrjete, Përmbajtje dhe Teknologji”, ka shkruar Rizvanolli.
Ajo ka shtuar se ky program ka për qëllim të rritë qasjen në digjitalizim tek qytetarët, bizneset dhe institucionet, dhe përmes granteve strategjike të avancojë katër fusha: Resurset kompjuterike me performancë të lartë, Inteligjenca artificiale (IA), Shkathtësitë e avancuara digjitale, si dhe Përshpejtimi dhe shfrytëzimi më i mirë i kapaciteteve digjitale dhe ndërveprueshmëria (interoperabiliteti).
“Pas miratimit nga Qeveria e Kuvendi i Kosovës, ne do të mund të bëhemi pjesë e projekteve të digjitalizimit të BE-së. Ky program synon t’i afrojë shtetet e Ballkanit Perëndimor me ekonominë e shoqërinë e BE-së, për të mbështetur digjitalizimin në përgjithësi, veçanërisht të bizneseve të vogla dhe të mesme”, ka shkruar ministrja në Facebook. /Telegrafi/