Në orën një të mëngjesit në afërsi të kopshtit zoologjik në Shkup është djegur billbordi i kandidatit për president, Arben Taravari. Ende nuk dihet nëse zjarri është vënë qëllimisht. Ministria e Brendshme njoftoi se po merr masa për zbardhjen e rastit.
“Me datë 04.07.2024 në ora 01:15 në SPB Shkup është raportuar se në udhëkryqin e bulevardit “Ilinden” me rrugën “Ruzveltova” është djegur bilbordi i njërit prej kandidatëve për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Zjarri është shuar nga ekipi i Brigadës për mbrojtje nga zjarri– Shkup”, – MPB
Taravari, nga ana tjetër, thotë se nuk beson që bilbordi është djegur qëllimisht, sidomos nga ndonjëri prej kundërshtarëve në garën presidenciale. Por ai bëri thirrje të presim që policia ta sqarojë rastin se si ka nisur zjarri.
Më herët, nga koalicioni “VLEN”, në të cilin është edhe Taravari, ka shprehur dyshimin se bilbordi është djegur qëllimisht dhe ka kërkuar që fajtorët të ndëshkohen. Koalicioni opozitar nuk ka theksuar ndonjë autor konkret, por në njoftim ka shtuar se të gjithë e dinë se cila parti në pushtet ka në radhët e saj banditë dhe kriminelë. Sipas “VLEN” synimi ka qenë të trembet populli. Në anën tjetër, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, mohon se pas incidentit qëndron partia e tij, deklaroi Arben Taravari – kandidat për president.
“Absolutisht jo. Mohoj çdo përfshirje të BDI-së. Nëse dikush bën fushatë pozitive, nëse dikush bën fushatë konstruktive, jemi ne. Unë i dënoj aktet e tilla. I bëj thirrje opozitës të ndalojë me fushatën e zezë”, tha Bujar Osmani – kandidat për president.
Koalicioni “VLEN” theksoi se do të zëvendësojë billbordin me një të ri dhe kërkuan reagim nga vëzhguesit ndërkombëtarë të procesit zgjedhor.