Kryeministri Albin Kurti dje në orët e vona ka publikuar një video të ushtarëve serbë, që sipas Kurtit, ata gjendeshin në afërsi të kufirit me Kosovën. Kurti një lëvizje të tillë të forcave serbe në afërsi të Kosovës e kishte ndërlidhur me kërcënimin e bërë ditë më parë nga presidenti serb, Aleksander Vucic, shkruan Express.
Për denoncimin e bërë nga kryeministri Albin Kurti, kanë reaguar nga ministria e Mbrojtjes së Serbisë. Kreu i Komisionit për Zbatimin e Marrëveshjes ushtarako-teknike, Zoran Jovanoviq pretendon se kjo është “vazhdimësi e fushatës dezinformuese e drejtuar kundër forcave të armatosur atë Serbisë dhe forcave të sigurisë së Serbisë”.
Siç pretendohet në reagimin për media të lëshuar nga ministria e mbrojtjes së Serbisë, në videon e publikuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “shihen pjesëtarë të forcave të armatosura duke kryer detyra të rregullta për sigurimin e linjës administrative deh kontrollin e zonës së sigurisë tokësore, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike’.
Në reagim thuhet se ushtria serbe ka bashkëpunim me KFOR-in sa i përket zbatimit të marrëveshjes ushtrako-teknike.
“Në kryerjen e këtyre detyrave dhe zbatimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike, njësitë e Forcave të Armatosura të Serbisë bashkëpunojnë me Forcat Ndërkombëtare në Kosovë (KFOR). Komisioni për Zbatimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike është përgjegjës për kontrollin e zbatimit të Marrëveshjes Ushtarako-Teknike, bashkëpunimin me KFOR-in dhe mbajtjen e komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet forcave të sigurisë së Republikës së Serbisë dhe KFOR-it.”, thuhet në reagim.