Saturday, November 23, 2024
spot_img
BallinaLajmeBosnja demanton Prokurorinë e Serbisë, thotë se s’është në dijeni që Radoiçiq...

Bosnja demanton Prokurorinë e Serbisë, thotë se s’është në dijeni që Radoiçiq ka blerë armë atje

Ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ramo Isak, tha se “nuk ka informacion për ndonjë armë në zonën e Tuzllës”, që lidhet me rastin e Millan Radoiçiqit.

E kontaktuar nga REL-i, edhe Zyra e Prokurorit të Kantonit të Tuzllës tha se “nuk ka, as nuk mund të ketë ndonjë informacion” për armët në këtë qytet të Bosnjës.

Radoiçiq, i cili e pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, u ndalua të martën nga autoritetet në Beograd.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se e ka marrë në pyetje Radoiçiqin, i cili, ditë më parë, pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë – fshat në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.

Armët i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit – më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin, sipas Prokurorisë.

Më pas, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Sipas saj, i dyshuari e ka mohuar kryerjen e veprave të përmendura penale.

Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi më herët se ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Radoiçiqit dhe se atij i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

Më 29 shtator, Radoiçiq – i cili është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të pjesëmarrjes së dyshuar në krim të organizuar ndërkombëtar – mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.

Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – por dha dorëheqje nga kjo pozitë në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit