Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe homologu i saj serb, Aleksandar Vuçiq janë takuar dje në New York.
Ky takim mes tyre vjen nën organizimin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, ku pjesë qenë edhe katër presidentë tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe atë të Shqipërisë, Bajram Begaj.
Osmani shkruan se në diskutim, ka ritheksuar që “dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është interes strategjik”.
Pas drekës, është deklaruar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Edhe këtë drekë joformale, të organizuar nga Josep Borrell dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm, e shfrytëzova për të vazhduar luftën për të ruajtur paqen dhe stabilitetin dhe për të përshpejtuar zhvillimin e Serbisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Vuçiqi pas kësaj dreke.
Ai tha se Serbia “vazhdon të udhëheqë një politikë të përgjegjshme dhe parimore, të bazuar në ruajtjen e interesave kombëtare, të hapur ndaj bashkëpunimit konstruktiv në rajon që synon përmbushjen e objektivit tonë strategjik – anëtarësimit në BE”.
“Si çdo progres, edhe kjo rrugë e përbashkët evropiane kërkon bashkëpunim, mirëkuptim dhe mbështetje të besueshme nga partnerët”, potencoi Vuçiqi në një postim në Facebook.