Të ardhurat e supermarketeve në Kroaci më 31 janar u ulën me të paktën 40 për qind për shkak të bojkotit të përgjithshëm të dyqaneve dhe shërbimeve, i nxitur nga çmimet e larta, tregojnë të dhënat më të fundit të Administratës Tatimore.
Administrata Tatimore Kroate njoftoi se numri i faturave fiskale të lëshuara në shitjen me pakicë nga mesnata deri në orën 15:00 është ulur me 31 për qind, ndërsa vlera totale e faturave të lëshuara është 42 për qind më e ulët krahasuar me të premten, më 17 janar, kur nuk kishte bojkot.
Krahasuar me të premten e mëparshme, kur u mbajt bojkoti i parë njëditor, numri i faturave të lëshuara në shitjen me pakicë është rritur me 18 për qind, ndërsa vlera totale e faturave është 15 për qind më e lartë.
Platforma kroate për mbrojtjen e konsumatorëve “Alo, inspektorë” sot sërish bëri thirrje për bojkot të të gjitha dyqaneve, produkteve dhe shërbimeve për shkak të çmimeve të larta.
Reagimi i qytetarëve është i dukshëm nëpërmes dyqaneve dhe qendrave tregtare bosh në Zagreb, ku rrallë kush hyn, ndërsa fotografi nga supermarketet e zbrazura në mbarë vendin po publikohen në portalet kroate dhe në rrjetet sociale të “Alo, inspektorë”.