Bashkimi Demokratik për Integrim – Dega në Kumanovë, reagon ashpër për vendosjen e kryqit të gjatë në hyrje të tregut të gjërave të vjetra në lagjen Kojnare të Kumanovës.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e BDI-së
Ne, si parti asnjëherë nuk kemi qenë kundër ndërtimit të objekteve fetare, respektivisht xhamive dhe kishave, sepse janë nevojë e besimtarëve, por jemi të befasuar me vendosjen e një kryqi të tillë në lagjen Kojnare të Kumanovës.
Vlerësojmë se ky akt nuk ka qëllim të mirë dhe se ndërtimi i një kryqi të tillë më shumë ka për qëllim për të shfaqur superioritet se sa për ti shërbyer ndonjë nevoje besimtarëve përkatës, andaj edhe paraqet një provokim në këtë periudh të rëndësishme për shtetin, kur popullizmi me vepra të tilla është më së paku i nevojshëm, por edhe i dëmshëm.
Kujtojmë, se në qytetin e Kumanovës jetojnë qytetarë të bashkësive të ndryshme etnike dhe fetare, andaj edhe dyshojmë se një veprim i tillë mund të nxisë tensione të panevojshme mes qytetarëve.
Pyesim kryetarin e komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski!
Kush ka dhënë leje për ndërtimin e kryqit në lagjen Kojnare dhe kush është pronari i asaj toke?
A është miratuar ndërtimin e atij kryqi nga Këshilli Komunal, me ç’rast pyesim edhe këshilltarët komunal shqiptarë që janë pjesë e shumicës në Këshillin komunal në Kumanovë?
Kush e financoi një projekt të tillë?
Cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm lidhur me këtë kryq, do të merret vendim për ta larguar apo do të tolerohet deri te ngritja e tensioneve mes qytetarëve?
A po e shfrytëzoni këtë situatë për popullizëm dhe për të mbijetuar deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, apo është thjesht në vazhdën e sulmeve nacionaliste që keni ndaj shqiptarëve?
BDI bën me dije se nuk do të qëndrojë duarkryq në raport me këtë situatë, por me mjete demokratike do të angazhohet deri në zbardhjen e këtij vendimi.