Saturday, November 23, 2024
spot_img
BallinaTechnologyA mjafton vetëm brengosja për rezultatet e PISA 2022?

A mjafton vetëm brengosja për rezultatet e PISA 2022?

“Ne s’ngrihemi në nivelin e pritshmërive tona, por biem në nivelin e formimit që kemi.”
Archilochus

Rezultatet e PISA 2022 nuk janë një problem i ri, i vogël apo befasues. Pavarësisht se pandemia përkeqësoi disa aspekte të sistemit arsimor në shkallë botërore, rezultatet jashtëzakonisht të dobëta s’mund dhe s’duhet të tentohent të shpjegohen me krizën e Covid-it, pasi problemet në arsim si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri dhe në gjithë hapsirën shqiptare në Ballkan janë sistematike dhe kronike. Kushdo që përdor këtë justifikim thjesht përpiqet të fut kokën në rërë. E kam fjalën për mungesa e mangësi të vazhdueshme në:
· planifikimin strategjik të shkollimit në rang vendor dhe kombëtar,
· infrastrukturë dhe transport për nxënësit,
· pagesa konkurruese, shpërblime meritore e stimuj për arsimtarët,
· cilësinë e teksteve shkollore,
· numrin dhe nivelin e kualifikimit të personelit shkollor,
· investimin në rritjen e profesionalizmit të arsimtarëve, etj.

Këto janë vetëm ato që vijnë në mendje vetëvetiu, por ka plot të tjera. Vështirë se, me gjithë këto mungesa masive, dikush mund të kishte iluzione për rezultate më pozitive.

Këtu përgjegjësia është kolektive, sa politike (jo vetëm e partive në pushtet) edhe shoqërore. Politike nga njëra anë për shkak të mangësisë së vizionit strategjik dhe aftësisë për zhvillim të politikave të efektshme në arsim. Shoqërore nga ana tjetër për mungesë të vetëdijes mbi rëndësinë parësore të arsimimit në ndërtimin e një shoqërie të suksesshme dhe vetedijësimit se llogaridhënia reale e administruesve publik është në themel të qeverisjes së mirë e progresit shoqëror. Sa kohë nuk do të ketë llogaridhënie të vërtetë, do të ketë ngecje në vend numëro dhe justifikime të çala të tipit: vend i vogël; s’kemi mundësi.

Modelet e suksesshme arsimuese nuk kanë të bëjnë nevojshmërisht me madhësinë e vendit dhe pasurinë e tij. Për shembull një model i shkëlqyer arsimimi në Evropë është Estonia, një vend me popullsi prej 1.3 milion banorësh dhe me prodhim të brendshëm bruto për banor më të ulët se të Sllovenisë. Estonia ka arritur të jetë vendi me rezultatet më të mira në PISA 2022 pavarësisht se shpenzon 3% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtje pasi është në kufi me Rusinë dhe është vendi që i ka dhënë ndihmën më të madhe Ukrainës si përqindje e PBB-së. Morali i fabulës këtu është se një vënd sa më i vogël e i kërcënuar të jetë aq më shumë duhet të investojë në arsim dhe mbrojtje.

Prandaj, brengosja apo indinjata më së shumti tre ditore për rezultatet e PISA 2022 nuk do të mund të mjaftojë për të ndryshuar diçka për mirë as në Kosovë e as në Shqipëri. Ata që munden (minoritet absolut) do të vazhdojnë t’i dërgojnë fëmijët për t’u arsimuar në shkolla private ose jashtë vendit, kështu që për “elitat” ky problem në planin e ngushtë personal zgjidhet lehtë. Në këtë kategori hyjnë pjesa më e madhe e politikanëve që shpesh tundin grushtat në ajër të inatosur për padrejtësitë që i bëhen popullit e madje inskenojnë kacafytje verbale e fizike të koreografuara në perfeksion në emër të së mirës dhe të ardhmes së tij.

Nëse nuk është e qartë, po e them më shkoqur. S’ka dëm më të madh për të ardhmen, mirëqënien dhe sigurinë e kombit se kjo rrëshqitje konstante në humnerën e injorancës dhe mosdijes. S’ka dëm më të madh se çarmatosja arsimore e gjymtimi intelektual i rinisë shqiptare ndërkohë që bota po bëhet gjithmonë më konkurruese, kërkuese, dhe sfiduese në të gjitha aspektet në epokën e inteligjencës artificiale. Në këtë kontekst, sukseset e Mira Muratit, Dua Lipës e Rita Orës duhet të na dehin më pak krenarinë kombëtare e të na bëjë të reflektojmë më kthjellët për shanset e humbura dhe shpërdorimin e potencialit të rinisë shqiptare që po arsimohet gjithmonë e më pak e më dobët në vendlindje e po e sheh gjithmonë e më shumë të ardhmen tjetërkund. Këtë e them si dikush që është detyruar të marrë vetë të njëjtin vendim një çerek shekulli më parë.

P.S. Nëse dikush pyet, e çfarë lidhje kanë rezultatet e PISA 2022 me marrdhëniet ndërkombëtare dhe sigurinë? Shkollimi është përbërësi themelor i kapitalit njerëzor që përcakton aftësitë prodhuese, zhvillimore, e mbrojtëse të një vendi. Poeti dhe luftëtari Archilochus, i njohur në antikitet si poeti më i shquar pas Homerit dhe Hesiodit, dikur pat thënë: “Ne s’ngrihemi në nivelin e pritshmërive tona, por biem në nivelin e formimit që kemi.” Pothuaj dy mijë e shtatëqind vjet më pas shumëçka ka ndryshuar por formimi/përgatitja mbetet faktori themelor që bën dallimin midis suksesit dhe dështimit të një individi, të një ushtrie, apo të një shteti. / Adrian Shtuni

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit