Sunday, September 29, 2024
spot_img
BallinaLajmeA e filluan partitë politike shqiptare fushatën para kohe?

A e filluan partitë politike shqiptare fushatën para kohe?

Tani më dihet që zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, sipas marrëveshjes së partive politike, të arritur më 4 dhjetor, do të mbahen më 8 maj. Të njëjtën ditë do të votohet edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, pasi raundi i parë do të mbahet më 24 prill. E se do të ketë zgjedhje shumë afër kuptohet nga aktiviteti i shtuar i partive politike pa dallim e sidomos atyre shqiptare. Kanë ndezur motorët dhe po vizitojnë secilën degë e nëndegë nëpër tërë territorin e vendit. Të gjitha partitë politike si shqiptare ngjashëm edhe ato maqedonase kanë filluar me para fushatë. Te partitë shqiptare vërehet një hiperaktivitet sepse gara do të jetë shumë e ashpër kësaj radhe përshkak të formimit të dy blloqeve. Akuza e kundërakuza, vizita, bashkëbisedim me qytetarët, pres konferenca e të tjera, këto janë disa prej formave përmes të cilave kuptohet qartazi se politikanët kanë zbarkuar në terren dhe po e prekin realitetin me duar, po e shohin si dhe në çfarë gjendje po jetojnë qytetarët. Kjo krejt për të dëshmuar ekzistencën e partive të tyre dhe për të mbledhur një grusht votash më shumë, shkruan Zhurnal.

Fushata filloi shumë më herët edhe para se të dihej data e zgjedhjeve –

Fushata ka filluar që tani madje me strategjinë e njëjtë narrativin nacionalist me deklarata sulmuese ndaj njëri tjetrit bllok. Sidomos në këtë sferë më e profesionalizuar është opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE e cila nuk ndal akuzat ndaj partisë më të madhe në bllokun shqiptarë BDI-së. Nga ana tjetër, në bllokun shqiptarë ka pasur një vrull formimi të partive të reja por që dalëngadalë po merr formë strukturimi i partive duke u ndarë në dy blloqe, partitë opozitare dhe partitë në pushtet. Përderisa partitë në opozitë kanë filluar të proklamojnë bashkimin dhe të nxjerrin në pah dështimet e qeverisë, partitë në pushtet po tentojnë që këtë periudhë të presin sa më shumë shirita të kuq.

Opozita maqedonase e cila në të gjitha anketat shihet si favorite për të fituar zgjedhjet, tashmë ka nisur tubimet me elektoratin e saj duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje. VMRO DPMNE-ja synon të fitojë gjysmën e mandateve për të bërë, siç thotë “reforma serioze në vendin e gjunjëzuar, shkatërruar dhe grabitur nga partitë në pushtet”. “Neve na duhet një reformë serioze sepse Maqedonia e Veriut është në gjunjë, e shkatërruar, e grabitur. Prandaj, është e nevojshme që koalicioni i udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja të fitojë 61 ulëse (deputetë). Luftojmë për 61 deputetë, fitorja është e sigurt”, ka thënë kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, në një tubim të kësaj partie në qytetin e Prilepit.

Për çdo dështim dhe mungesë progresi VMRO-ja ka një adresë të vetme BDI-në, sepse sipas VMRO-së me vendin udhëheq BDI-ja ndërkaq LSDM-në e cilësojnë si partner të vogël të BDIs-ë. Ai ka thënë se me BDI-në nuk do të ketë asnjë koalicion pas zgjedhjeve. Por, mbetet të shihet nëse këtë e ka thënë vetëm për të ruajtur votuesin nacionalist e anti-shqiptar të VMRO-së së Gruevskit apo vërtetë do të ndodhë kështu. Edhe pse praktika shpesh herë e ka dëshmuar që parullat e fushatës me veprimet e pas zgjedhjeve janë dy vektorë të kundërt e të ndryshëm.

Nga BDI-ja kanë akuzuar VMRO DPMNE-në për nxitje ndëretnike. Në kontekstin e asaj që në vazhdimësi kjo parti merret me BDI-në, pa çka se nj[ kohë të gjatë ishin edhe partner koalicioni në qeverisje, dhe në fakt këtë e bënin më së miri pa kurrfarë problemi.

“Kjo mënyrë e nxitjes së urrejtjes ndëretnike që më pas të shfrytëzohet për pikë politike, është tepër e rrezikshme për një demokraci shumetnike, siç është Maqedonia e Veriut. VMRO-së do t’i them se derisa të jetë BDI-ja dhe Ali Ahmeti, shqiptarëve nuk do t’u mungon asnjë fije floku”, ka thënë nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme, gjatë një konference për media.

Por, në realitet edhe ky debat e akuza mes partive shihet si pjesë e para fushatës për të marrë vëmendjen e elektoratit. Përndryshe, nga BDI fokusin kryesor e kanë në Çair aty ku rrezikohen më së shumti, prandaj edhe aktivitetet i kanë të përjavshme, mbase edhe dy herë brenda javës. Në degën e Kumanovës dy herë brenda muajit po ftohen funksionarë shtetërorë nga radhët e BDI-së për të bashkëbiseduar me qytetarët.

Nuk po qëndrojnë të heshtur as partitë opozitare, tashmë opozita e bashkuar Lëvizja Evropiane për Ndryshim janë mobilizuar si asnjëherë më parë ku të gjithë të bashkuar vizitojnë degët ku janë të shtrirë. E më shumë se keq nuk ka gafë qeveritare për të cilën nuk reagojnë partitë opozitare, e kjo nuk do mend është pjesë e para fushatës për të dëshmuar ekzistencën e tyre dhe “dështimin” apo gabimet e partive që janë në pushtet.

Partitë në pushtet, LSDM dhe BDI-ja, aktivitetet e tyre i kanë përqendruar në prezantimin e projekteve në infrastrukturë dhe premtimin për “përshpejtimin e integrimit evropian”. Duke tentuar të krijojnë një klimë pune dhe rezultat suksesi në opinion, siduket nuk po u shkojnë planet ashtu si duhet. Pasi, shumë projekte për të cilat është paralajmëruar që do të përfundojnë në fund të vitit, nuk po ndodhë kështu për shkaqe të caktuara.

Megjithatë, fushata zgjedhore prej 20 ditëve duket që është e pamjaftueshme për partitë politike për të vizituar secilin fshat e qytet të vendit, për takuar secilin qytetarë, prandaj kanë filluar nga tani sepse vitin që vjen do të realizohet një garë shumë e ashpër dhe interesante, sepse skena politike ka pësuar ndryshime drastike dhe të mëdha. Mbetet të shihet nëse ndryshimet në skenën politike do të sjellin edhe ndryshime në gjendjen sociale e ekonomike të qytetarëve. /Zhurnal.mk

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit