Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti doli në fundjavë përpara mediave ku foli për rrezikun që i kanoset vendit nga sulme të ngjashme si ai në Banjskë më 24 shtator, nga grupet e armatosura serbe.
Këto sulme janë serioze e për më tepër të mbështetura nga shteti serb, teksa këtë fakt e pohojnë dhe njohësit e çështjeve të sigurisë.
“Realisht janë incidente të sigurisë të përgatitura nga institucionet e sigurisë në Serbi, të realizuara nga grupet paramilitare, të organizuara nga vetë shteti i Serbisë”,-u shpreh Burim Ramadani, ekspert i çështjeve të sigurisë
“Kërcënimi është real, faktik i dukshëm nga ana e mekanizmit vendor të sigurisë ndaj kryeministri ka deklaruar se mund të kemi një situata analoge me 24 shtatorin”,-tha Drizan Shala, ekspert i çështjeve të sigurisë.
Pavarësisht kësaj, ekspertët shtojnë se nuk ka vend për panik, por duhet reagohet nëpërmjet një fushate, që deri më tani nuk është realizuar.
“Kryeministri i Kosovës do të duhej që informacionet e tillë ti analizojë më tutje e ti dërgojë drejt faktorit ndërkombëtar”,-tha Drizan Shala, ekspert i çështjeve të sigurisë
“Mendoj se institucionet do të duhet të bashkëpunojnë çdo ditë me NATO, me KFOR si formacion ushtarak i udhëhequr prej tyre dhe shtetet veç e veç si dhe të rrisë komunikimin mes institucioneve”,-tha Burim Ramadani.
Publiku gjithashtu duhet të njoftohet, të jetë vigjilent dhe bashkëpunues me institucionet e vendit.