S’ka mbetur as edhe një javë për të pritur natën e ndërrimit të moteve, e në qendër të Shkupit po bëhen edhe përgatitjet e fundit për të përcjellë vitin 2023.
“Më pak i zbukuruar se vitet e kaluara”, “nuk ka kush feston – kanë ikur të gjithë”, “skamje, nuk ka para”, ishin disa nga komentet e qytetareve që takuam në qendër të Shkupit.
“Qendra është mizëri, nuk e ka atë bukuri më, për fat të keq. Kjo është mizëri. Nuk ka shtet, nuk ka qeveri, nuk ka kush të kujdeset për këtë shtet, çfarë të them, u zbraz më dhe vërehet, ja sa thirrje për punë dalin nuk ka punëtorë, gjithë kanë ikur”.
“Në qendër, paralajmëruan se do të ketë programe të mirë dhe ja këto shtëpizat do kenë meze dhe pije që të freskohemi. Disa ankohen se nuk është mjaftueshëm i zbukuruar, ju si mendoni? Çdo njëri për mendimet e tyre, ne si duam të krahasohemi me shtetet e mëdha ekonomike Gjermaninë, Anglinë, sa është mundësia aq”.
“A jeni të gatshëm të festoni vitin e ri? Po gati jemi, për ne viti i ri është i njëjtë si çdo ditë tjetër. Ku do festoni? Në shtëpi. Shkon keq më keq. Përse? Gjithçka është shtrenjtë, do të qëndrojmë në shtëpi, gjithçka është shtrenjtuar. Ndërsa qendra është katastrofë”.
Bredhi i vitit të ri ishte më i komentuari këto ditë nga qytetarët e sidomos në rrjetet sociale. Pas reagimeve dhe ironizimeve të shumta për madhësinë e tij, drejtuesit e qytetin vendosën edhe disa të tjerë dhe disa zbukurime tjera të cilat qytetit të Shkupit do t’i kushtojnë 30 mijë euro.