Monday, November 25, 2024
spot_img
BallinaKurioziteteKërkesa e SPAK, Gjykata Kushtetuese i hap rrugë arrestimit të Sali Berishës

Kërkesa e SPAK, Gjykata Kushtetuese i hap rrugë arrestimit të Sali Berishës

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e disa deputetëve të PD, për të shpallur anti-kushtetues kërkesën e SPAK për arrestimin e Berishës.

Padia ishte firmosur nga 30 deputetë të PD, mes tyre edhe Gazment Bardhi, ndërsa vetë Berisha nuk e ka firmosur padinë e grupit të “Rithemelimit”.

Dy ditë më parë, Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso dhe Franci Nuri përfaqësues të Grupit të Rithemelimit depozituan në Gjykatën Kushtetuese padinë lidhur me “konfliktin e kompetencave midis pushtetit Gjyqësor dhe pushtetit Legjislativ për imunitetin e deputetëve”.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 2 muaj më parë vendosi masë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha me akuzën e korrupsionit pasiv kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i K.Penal”.

Bëhet fjalë për një pronë me rreth 10.000 m2, në qendër të Tiranës që në vitin 2008 është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë. Klubi sportiv “Partizani” ka qenë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot janë ngritur 17 kulla.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

Në datën 15.12.2023 në Gjykatën Kushtetuese është regjistruar kërkesa e një grupi prej jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (30 deputetë), të cilët kanë kërkuar:

Interpretimin përfundimtar të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, i cili parashikon se:

“Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”; zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe SPAK e GJKKO-së për sa i takon çështjes së heqjes dhe/ose kufizimit të lirisë së deputetit të Kuvendit në çdo formë, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e Kuvendit; konstatimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare të masave shtrënguese të sigurimit personal të caktuara me vendimet gjyqësore të GJKKO-së së shkallës së parë dhe apelit ndaj deputetit Sali Berisha, si dhe pezullimin e këtyre masave.

Grupi i deputetëve ka parashtruar se ndaj deputetit Sali Berisha janë vendosur dy masa shtrënguese personale “Detyrimi për paraqitje” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, pa u kërkuar më parë autorizimi i Kuvendit, siç parashikohet nga neni 73, pika 2, i Kushtetutës.

Në këtë mënyrë, vendimet gjyqësore për vendosjen e këtyre masave kanë krijuar një mosmarrëveshje kompetencash midis organit të Kuvendit, nga njëra anë, dhe organeve të SPAK-ut dhe GJKKO-së, nga ana tjetër, prandaj, për këtë shkak, lind nevoja e interpretimit të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës.

Grupi i deputetëve ka pretenduar edhe se këto masa janë marrë në kundërshtim me Kushtetutën, për rrjedhojë kanë kërkuar pezullimin e tyre. Ata, gjithashtu, kanë parashtruar se si subjekt i pakushtëzuar nuk kanë detyrimin për të provuar para Gjykatës lidhjen mes veprimtarisë ligjore që kryejnë dhe çështjes kushtetuese të ngritur.

Gjithashtu, kërkuesi ka paraqitur në Gjykatë një kërkesë për përshpejtimin e gjykimit të çështjes, duke parashtruar se në datën 21 dhjetor 2023 është caktuar seanca plenare e Kuvendit gjatë së cilës është planifikuar miratimi për dhënien e autorizimit për kërkesën e arrestit të deputetit.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 19 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen, vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve.

Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datën 20 dhjetor 2023, bazuar në nenin 54, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, të ndryshuar, me shumicë votash, vlerësoi se kërkesa nuk plotëson kriteret ligjore paraprake për pranimin e saj për shqyrtim në seancë plenare, për këto arsye:

Neni 124 i Kushtetutës parashikon se Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj.

Kurse bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës, Gjykata vendos për mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, e cila në rastin konkret pretendohet se është midis Kuvendit, nga njëra anë, dhe SPAK dhe GJKKO, nga ana tjetër.

Kushtetuta ka mirëpërcaktuar rastet kur grupeve të deputetëve u janë njohur të drejta si entitete dhe në këtë drejtim një e pesta e deputetëve dhe Kuvendi janë subjekte kushtetuese të ndryshme që nuk mund të barazohen me njëri – tjetrin.

Për rrjedhojë, kërkuesi, grupi i deputetëve, nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës, pasi referuar mosmarrëveshjes së pretenduar të kompetencave, ai nuk është subjekt në konflikt, pra nuk rezulton t’i jetë marrë ndonjë kompetencë apo të jetë cenuar drejtpërdrejt në ndonjë kompetencë. Grupi i një të pestës së deputetëve, pavarësisht se është pjesë e ushtrimit të veprimtarisë legjislative të Kuvendit, nuk nënkupton që është subjekti kushtetues për të cilin bën fjalë neni 73, pika 2, i Kushtetutës, pra ai nuk mund të veprojë në emër dhe me tagrat e Kuvendit.

Për këto arsye, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, ndaj pretendimet e kërkuesit dhe kërkesa për pezullimin e masave të sigurimit nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit