Driton Sinishtaj, është menaxheri i suksesshëm shqiptarë në Nju Jork, i cili së fundmi është shpallur edhe Menaxheri më i mirë i vitit në “Nju Jork”.
Dritoni shprehet i lumtur me këtë arritje, të cilën modestisht ja dedikon stafit të tij, që përbëhet nga më shumë se 40 punonjës.
Shqiptari i lindur në Tuz, po ashtu vlerëson integrimin e komunitetit në shoqërinë amerikane, pa harruar kulturën, gjuhën dhe traditat e origjinës.
Dritoni pas përfundimit të shkollës së mesme në vendlindje, ka vazhduar studimet e larta në Tiranë, pranë Universitetit Europian dhe në vitin 2011 është diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
“Në vitin 2013 kam përfunduar masterin dhe jam specializuar në degën e Studimeve Strategjike. Kam jetuar, studiuar dhe punuar në Tiranë për një periudhë 8-vjeçare. Paralelisht kam punuar edhe në Mal të Zi në sektorin privat, si dhe në pozicione të ndryshme të administratës publike”, është shprehur ai.
Sot ai jeton në New York, ka emigruar në vitin 2016 dhe është menaxher rezidencial në Manhatan në kompanin prestigjioze në industrinë e “Real Estate” në NYC.
“Në këtë industri kam filluar të punoj në vitin 2017. Fillimet nuk kanë qenë të lehta, kam filluar të punoj në kompani më të vogla, si fillestar, por në të njëjtën kohë kam vazhduar të ndjek klasa të ndryshme për t’u perfeksionuar sa më shumë në këtë fushë. Sot punoj në një kompani prestigjioze në industrinë e “Real Estate” në NYC, kompani me eksperiencë mbi 120 vjeçare , që rritet dita-ditës. Menaxhoj një ndër komplekset rezidenciale më të mëdha në NYC, me mbi 1200 apartamente, ku jetojnë afro 3500 banorë, në zonën e Midtown West në Manhattan. Menaxhoj drejtpërdrejt afro 40 punëtorë, që merren me mirëmbajtjen e kompleksit rezidencial, duke u kujdesur për sistemet mekanike, mirëmbajtjen e deri tek shërbimet që ofrojmë për banorët. Pastaj është edhe pjesa administrative dhe financiare si pjesë përbërëse e punës sime. Është një punë që kërkon shumë përkushtim, energji dhe aftësi të mira menaxhuese”, shprehet ai për në një intervistë për “Shqiptarët e New Yorkut”.
Pak ditë më parë, ai mori çmimin menaxheri i vitit nga shoqata prestigjoze, REBNY.
“E vlerësoj shumë, është nder për mua që u përzgjodha Menaxheri i Vitit nga kjo shoqatë kaq prestigjoze. Duke pasur parasysh se sa e fuqishme është industria ku ne punojmë, të them të drejtën ky çmim ka qenë mjaft surpizues për mua, por në të njëjtën kohë u ndjeva shumë i lumtur që puna ime u vlerësua maksimalisht.
Këtë çmim edhe pse individual, unë e shoh si vlerësim i një pune të gjatë dhe bashkëpunim të mirë me stafin tim dhe drejtuesit e lartë të kompanisë. Kam një staf të shkëlqyer, që bën një pune të mrekullueshme dhe kolegë që punojnë në pozicione të ndryshme drejtuese, që kanë dhënë një kontribut shumë të madh për të arritur deri këtu”.