Abdush Demiri është kandidati i bllokut opozitar shqiptar -Lidhjes Europiane për Ndryshim, për anëtar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
“Sot jam këtu për t’ju njoftuar me ecurinë e procedurës për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Pas mbledhjes së mbajtur të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, më 13.12.2023, kur u verifikuan kandidaturat e konkursit publik për anëtar të KSHZ-zë, më 14.12.2023
kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në vend që të na dërgojë letër vetëm neve, pra partive opozitare shqiptare, kjo sipas nenit 2, paragrafi 9 dhe 10 të Kodit
Zgjedhor, ai letrën për të propozuar kandidatë e ka dërguar edhe te dy parti të tjera, që janë formuar së fundi.
Sipas asaj që kërkohej në letër, por edhe konform detyrimit që e përcakton Kodi Zgjedhor, ne e kemi njoftuar kryetarin e Kuvendit se kandidati ynë për anëtar të KSHZ-së është Abdush Demiri, ndërsa unë – si koordinatore – ia kam nisur kryetarit të Kuvendit edhe një letër, në të cilën ia kam rikujtuar se partitë e vetme opozitare sipas definicionit të nenit 2, paragrafi 10, i Kodit Zgjedhor, janë AlternAtivA dhe Lëvizja Besa, si parti që kanë dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare.
Me këtë rast ia kam tërhequr vërejtjen që të pushojë me lojërat e ulëta për ta sabotuar një të drejtë ligjore që i takon opozitës shqiptare, se le që nuk i ka hije as atij, për shkak të pozicionit që e ka dhe pozicionit që e synon, por ky është edhe një turp për demokracinë dhe, në përgjithësi, për pluralizmin politik.
Prandaj sot jam këtu që ta njoftoj opinionin se kandidati ynë për anëtar të KSHZ-së është z. Abdush Demiri, por ta njoftoj edhe publikun me lojërat e këtij kryetari të Kuvendit, si dhe me sabotimet e kësaj shumice antidemokratike. Që këtu dëshiroj të kërkoj mbështetje edhe nga aleatët tanë ndërkombëtarë, veçmas na misioni OSBE-ODIHR, Misioni i BE-së në Shkup, si dhe Ambasada e SHBA-së, që të marrin masa për të garantuar zgjedhje të drejta dhe demokratike. Nëse ky sabotim vazhdon dhe ky anëtar i KSHZ-së i jepet ndonjë partie satelite, që e ka formuar BDI-ja së fundi ose kjo zgjedhje sabotohet që vendi i anëtarit tonë të mbetet vakant, atëherë le t’ia ndalojnë opozitës pjesëmarrjen në zgjedhje njësoj siç bënte Jugosllavia e JNA-së së z. Xhaferi.
Por, nëse thonë se e kanë pranuar demokracinë, duhet të mësohen se Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka Kod Zgjedhor që e përcakton se si krijohet përbërja e tij me anëtarë të partive të pozitës dhe të opozitës”, thonë nga LEN.