Kuvendi i Kosovës ka miratuar Buxhetin për vitin 2024.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Buxheti prej mbi 3.3 miliardë euro, është për 35% më i lartë se buxheti i më hërshëm.
“Kalon Buxheti për vitin 2024. Edhe këtë vit, për të tretin me radhë, buxheti miratohet në muajin dhjetor ashtu edhe siç duhet. Falënderoj deputetët dhe deputetet e Kuvendit të Republikës për votën, kontributin dhe mbështetjen e tyre”, tha Kurti.
Tutje tha me këtë buxhet forcohet mbrojtja e Kosovës, rritet siguria e nxitet punësimi.
“Po rrisim sigurinë, nxisim punësimin në tregun e punës, shtojmë kujdesin për familjet, mbështesim reformat që kemi filluar dhe mundësojmë zhvillimin e mëtejmë ekonomik dhe ngrisim mirëqenien e qytetarëve në vend”, u shpreh Kurti.
Për vitin 2024, Qeveria e Kosovës ka planifikuar ndarjen buxhetore:
860 milionë euro do të shkojnë për infrastrukturë dhe kapacitete të reja energjetike;
742 milionë euro do të shkojnë për komunat, prej të cilave 635 milionë, grante nga Qeveria;
370 milionë euro do të shkojnë për mbrojtje dhe siguri;
370 milionë euro do të shkojnë për arsim, përfshirë grantin për komuna;
340 milionë euro do të shkojnë për shëndetësi, përfshirë grantin për komuna;
95 milionë euro do të shkojnë për shtesat për lehonat dhe fëmijët;
58 milionë euro do të shkojnë për infrastrukturë sportive për Lojërat Mesdhetare 2030;
29 milionë euro do të shkojnë për masa të punësimit;
3 milionë euro do të shkojnë për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.