Ka nisur me përplasje të forta mes gardës dhe deputetëve të Partisë Demokratike seanca e kësaj të enjteje në Kuvendin e Shqipërisë.
Përplasja e cila kaloi në shtyrje fizike, ndodhi në derën e hyrjes kryesore të parlamentit, raporton “Euronews Albania”.
Deputetët e përjashtuar të opozitës u përplasën e efektivët të cilët ishin pozicionuar për të mos lejuar hyrjen e tyre.
Deputeti Flamur Noka shihet në një moment teksa shtyn një efektiv të gardës, thyen xhamin e derës kryesore.
Deputetët e PD pretendojnë se garda po bllokon me të padrejtë që të hyjnë dhe deputetët të cilët nuk janë të përjashtuar.
“Është i pa-përjashtuar, pse e pengon?!”, dëgjohet të thotë kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmen Bardhi, duke iu referuar deputetit Dash Sula, i cili tenton të hyjë duke u hedhur sipër efektivëve të gardës.
Deputetët e përjashtuar janë: Ervin Salianji, Bledjon Nallbati, Asllan Dogjani, Lefter Gështenj, Isuf Çelaj, Luan Baçin dhe Xhelal Mziu, Sali Berisha, Flamur Noka, Eldo Hoti, Gazmend Bardhi, Albana Vokshi, Edi Paloka.
Përjashtimi i tyre është marrë pas trazirave të shkaktuara në Kuvend, ku janë hedhur tymuese ndërsa opozitarët kanë vijuar aksionin e tyre, duke e bërë të pamundur zhvillimin e një seance normale.